
Sërish konflikt për emërimet në Gjykatën Kushtetuese...
Rindizet konflikti për Gjykatën Kushtetuese. Në vitin 2019 pati një përplasje shumë të fortë mes mazhorancës dhe presidentit të asaj kohe Ilir Meta, i cili emëroi Marsida Xhaferllarin në shkelje të procedurave, pasi ajo ishte e katërta në renditje. Madje për këtë arsye u iniciua dhe shkarkimii i tij.
Por duket se në horizont po shfaqet një konflikt i ri juridiko-politik. Në lojë janë dy vende në Kushtetuese, ai i lënë nga Elsa Toska e dorëhequr dhe mandati i Holta Zaçajt, i cili përfundon vitin që vjen.
Për të dyja vakancat ka plasur debati. Kuvendi shpalli vakancën për mandatin e Elsa Toskës, duke deklaruar se ai zgjat deri në vitin 2028, teksa ka pasur zëra se në fakt mandati duhet të jetë deri në vitin 2025.
Skema e parashikuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në pjesën e dispozitave kalimtare, (Neni 86, pika 4) përcakton mënyrën se si do të bëhej përtëritja e gjyqtarëve deri në vitin 2022, për të garantuar, që në vitin 2025, 2028 dhe 2031, të mund të realizohej ndryshimi, me tre anëtarë, një për secilin organ emërtese (Presidenti, Parlamenti, Gjykata e Lartë). Një skemë e cila reflektonte dispozitat kalimtare të Kushtetutës (Neni 179, pika 3), të ndryshuara në kuadër të reformës në Drejtësi, ku parashikohej kufizimi i mandatit. Sipas procedurave, në vitin 2025 duhej të mbaronin mandatin Sonila Bejtja dhe Holta Zaçaj, propozime të Presidentit dhe Gjykatës së Lartë.
Por në vitin 2019, Parlamenti, rezulton të ketë qenë ai që nuk ka respektuar skemën, e përcaktuar nga Kushtetuta dhe Ligji i Gjykatës Kushtetuese, kur për mandatin pasues të Vladimir Kristos, i përmbyllur në vitin 2016, emëroi më 11 nëntor të vitit 2019, zonjën Elsa Toska për një mandat të plotë.
“Zonja Elsa Toska zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për vakancën e plotë të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018”, lexohet në vendimin e firmosur nga kryetari i atëhershëm Gramoz Ruçi.
Edhe në shpalljen që ka bërë Spiropali, i referohet këtij vendimi. Por nëse ndiqet ky hap, shkelet hapur Ligji dhe Kushtetuta, pasi në vitin 2025 duhet të ikin dy anëtarë dhe në vitin 2028, 4 anëtarë. Pra, nëse i qendrohet Kushtetutës, mandati i Toskës duhet të mbyllet vitin që vjen dhe kushdo që e merr do ketë mandat të plotë.
Ndërkohë sot ka plasur një debat edhe sa i takon mandatit të Holta Zaçajt. Vetë Gjykata e Lartë, si organ emërtese, pak kohë më parë deklaroi në media se zonjës Zaçaj i mbaron mandati në fillim të vitit që vjen dhe i kërkoi Kushtetueses të shpallë krijimin e vakancës.
"Në datën 16.01.2023, znj. Holta Zaçaj është zgjedhur nga Gjykata e Lartë si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vendin vakant që i përkiste mandatit që kishte ushtruar Znj. Vitore Tusha, si gjyqtare në detyrë, mandat i cili, referuar njoftimeve për hapjen e garës, por edhe vendimit të Gjykatës së Lartë, përfundon në datën 10 mars 2025. Gjithashtu në dispozitivin e vendimit nr. 2, datë 16.01.2023 të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj është përcaktuar zgjedhja e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese “me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”.
Sipas nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, jo më vonë se 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese... njofton organin emërtesë për vendin vakant.”
Referuar këtij rregullimi ligjor, Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë mbarimin e mandatit të Znj. Holta Zaçaj jo më vonë se data 10.12.2024. Pas kësaj date, Kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të shpall garën për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9 vjeçar", thuhej në reagimin e Gjykatës së Lartë.
Mirëpo sot ka reaguar vetë kryetarja e Kushtetueses, zonja Zaçaj, e cila deklaron se nuk ka ndërmend të largohet deri në fund të vitit që vjen. Sipas saj, ligji nuk përcakton datë për mbarimin e mandatit dhe ajo pretendon se i lind e drejta të rrijë deri në fund të 2025. Megjithatë ajo ka deklaruar se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.
“Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017. Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”.
Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të Gjyqtares Kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.
Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues”, shprehet Zaçaj.
Pyetja që ngrihet është: Kush po tenton të luajë me mandatet në Kushtetuese? Pse secili e interpreton ligjin sipas qejfit? Mos harrojmë se aty ka shumë çështje me rëndësi që po diskutohen dhe flitet për ndërhyrje të forta politike. /Pamfleti
Lini një Përgjigje