TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Tetor 2025, 22:28

KQZ bllokon zgjedhjet e 9 nëntorit, PS gati t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor

Shkruar nga Pamfleti

KQZ bllokon zgjedhjet e 9 nëntorit, PS gati t’i drejtohet Kolegjit

Zgjedhjet e pjesshme të planifikuara për 9 nëntor janë bllokuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas përplasjes mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe atyre të opozitës në Komisionin Rregullator.

Dy anëtarët e propozuar nga opozita, Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj, refuzuan të bashkojnë votat me kolegët e mazhorancës, duke penguar miratimin e akteve rregulluese për zhvillimin e zgjedhjeve në 6 bashki.

Opozita këmbëngul që Bashkia e Tiranës të trajtohet ndryshe nga bashkitë e tjera, derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin për mandatin e Erion Veliajt. Por kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano, e ka cilësuar këtë kërkesë të pabazë, duke theksuar se trupa “nuk mund të vendosë në dyshim aktet presidenciale”.

Në mungesë të një votimi të vlefshëm, procesi për miratimin e akteve teknike të zgjedhjeve – përfshirë nisjen e fushatës, regjistrimin e kandidatëve dhe koalicioneve, identifikimin biometrik dhe modelin e fletës së votimit – është pezulluar. Pritet që mazhoranca pritet t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për të zhbllokuar afatet ligjore dhe për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor.

Lini një Përgjigje