
Aktori i njohur Florjan Binaj ka reaguar pas konfirmimit të kandidaturës së tij për zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë, ku do të përballet me Ogerta Manastirliun, kandidaten e Partisë Socialiste.
Binaj do të garojë si kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike, “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje”, në një aleancë të re opozitare që synon të thyejë dominimin e majtë në kryeqytet.
Në reagimin e tij publik, Binaj u shpreh se kjo garë “nuk është për pushtet, por për qytetarët”, duke theksuar se kandidimi i tij përfaqëson revoltën qytetare ndaj padrejtësisë dhe arrogancës së pushtetit.
“Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje. Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare,” – shkruan ai.
Aktori, i njohur për rolin e tij kritik në skenën publike, tha se deri më sot “ka luftuar padrejtësinë me humor dhe art”, por tani “është koha për ta bërë me votë”.
“Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni ju! Sot ju ftoj të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne. Të bëjmë bashkë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit që po dhunon jetët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, shkruan Binaj.
Kandidatura e tij shihet si një sfidë simbolike ndaj establishmentit politik, por edhe si një test real për opozitën e fragmentuar, që kërkon të rikthejë besimin e qytetarëve pas dështimeve elektorale të viteve të fundit.
Te gjithe ne emer te Popullit, flasin. Pastaj mbyllin jeten ne burg si hajdute. Ka 20 vjet nuk votoj per asnji delenxhi qe merret me politike