TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Tetor 2025, 17:41

Krim në zemër të drejtësisë/ Vrasja e gjyqtarit Kalaja trondit vendin, politika dhe partnerët dënojnë aktin

Shkruar nga Pamfleti

Krim në zemër të drejtësisë/ Vrasja e gjyqtarit Kalaja

Kryeqyteti ka përjetuar sot një ngjarje tronditëse, që e kemi parë vetëm në Kolumbinë e Eskobarit.

Gjyqtari Astrit Kalaja, është vrarë në krye të detyrës, brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës.Shkak i kësaj ngjarje horror është bërë një konflikt që vijon prej vitesh për pronat.

Kalaja ishte në gjyq duke shqyrtuar çështjen, ku menjëherë pasi ka dhënë vendimin, një nga personat që ishte palë në proces ka qëlluar me armë në drejtim të tij dhe palës kundërshtare.

Fatkeqësisht, gjyqtari nuk u ka mbijetuar dot plagëve dhe ka humbur jetën brenda në sallën e gjyqit. Kjo ngjarje ka shokuar gjithë vendin, institucionet dhe politikën.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë ka reaguar Presidenti i Republikës, Bajram Begaj duke e cilësuar aktin të patolerueshëm dhe tronditës për sistemin e drejtësisë.

Reagimi i Presidentit Begaj:

Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.

Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen.

Po ashtu ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave.

Reagimi i kryeministrit Rama:

Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojëra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore.

Po ashtu edhe kreu i opozitës, Sali Berisha e ka dënuar aktin krimanal, ku thotë se kjo është dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.

Reagimi i Berishës:

Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në brendësi të institucionit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cilëson vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, si sulm të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Reagimi i OSBE:

Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.

I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.

Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.

Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Aty duhet të sundonte drejtësia dhe jo plumbi”, kështu shkruan deputeti demokrat Klevis Balliu me krimin e rëndë që tronditi opinionin publik.

Reagimi i Klevis Balliut: 

Ky akt i rëndë tregon se pushteti i krimit nuk njeh më kufij. Në Shqipërinë e Ramës, krimineli është bërë autoritet politik dhe elektoral, ndërsa shteti është dorëzuar. Kur vritet një gjyqtar në detyrë, çdo qytetar është i pambrojtur. Kjo është drama e një vendi ku krimi sundon dhe drejtësia bie.

Reagimi i Nokës:

Nuk është lajm nga Kolumbia, Meksika apo Venezuela. Ndodhi në mes të Tiranës. Është vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Krimi u bë me krahë nga narkoshteti. Kur shohin KM t'i sulmojë para kamerave, marrin hov e godasin fizikisht. Kur i hap derën karteleve, këto pasoja do ketë për vendin. Shtetin e vrau Narkoshteti.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe atij të drejtësisë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Reagimi i Bardhit: 

Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, që ka nisur nga sulmet e hapura të Kryeministrit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.

Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të jap vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit, për pasojë sot është dita për një reflektim të thellë nga e gjithë shoqëria shqiptare.

Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu që janë titullarët e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë në gjykata duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjshmërie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilëson vrasjen e gjyqtarit si nëjë humbje që trondit drejtësinë.

Reagimi i Manjës:

Sot, dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke marrë jetën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja.

E kam njohur dhe kam punuar me të në ditë të vështira për rendin dhe sigurinë në Shkodër (2002–2007) — ai si gjyqtar, unë si prokuror. Astrit Kalaja ishte, me plot kuptimin e fjalës, një familjar dhe qytetar model, një gjyqtar me integritet të lartë dhe shtetar i përgjegjshëm.

Si ish-koleg dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve, e dënoj me forcë këtë akt barbar, që është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe drejtësisë shqiptare.

Vrasja e një gjyqtari në detyrë kërkon ndëshkim shembullor dhe duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për sigurinë e të gjithë punonjësve të drejtësisë përballë dorës së krimit.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e shumtë që Astriti kishte kudo.

U prehtë në paqe njeriu dhe gjyqtari që nderoi togën e zezë!

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari e cilëson aktin e rëndë, ku shprehet se kjo mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve.

Reagimi i ministrit të drejtësisë Lamallari:

Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.

Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve.

Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.

Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal.  U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!

Lini një Përgjigje