
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes së Asamblesë në Durrës, vuri theksin te nevoja për përmirësim të organizimit të brendshëm të partisë, pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, Klosi nënvizoi se Partia Socialiste duhet të rrisë standardet e funksionimit të saj dhe të jetë më kërkuese ndaj vetes.
“Partia duhet të jetë më e fortë, e qartë me e organizuar dhe më kërkuese karshi vetes së saj. PS ka marrë fitore të plotë, jo të rastësishme dhe as të ngushtë e të përkohshme. Rezultati kombëtar i vitit 2025, 355 mijë për PS nuk është vetëm një rezultat matematikor, por kontratë e rinovuar me shqiptarët. Diferenca me kundërshtarin tonë është diferencë besimi, serioziteti në drejtimin e Shqipërisë. PS është forca më e qëndrueshme në vend, që di ta kthejë riorganizimin në votë dhe në mandat të fortë qeverisës. Fakti që diaspora i jep 61.1% të votës jashtë vendit e bën këtë fitore më të fortë politikisht. Brenda vendit, PS rritet”, tha ai.
Pjesa më kritike e fjalës së Klosit lidhej me mangësitë në organizimin e brendshëm dhe mungesën e njohjes së plotë të strukturave dhe listave nga partia.
“Ka ardhur koha për rivlerësim total ku nëpërmjet AI, të bashkojmë punën e administratës të kemi njohje më të plotë të listave. E pafalshme, e kemi pasur këtë kur kemi qenë në opozitë. Kemi akoma një pjesë të listës që është e panjohur me strukturat tona. Sot që kemi teknologji duhet të kemi një strukturë që të absorvojë shumë më tepër njohjen e terrenit. Diaspora është pjesë organike e rezultatit tonë politik”, shtoi Klosi.
Lini një Përgjigje