Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes së Asamblesë, paraqiti një analizë të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2025, duke i krahasuar ato me zgjedhjet e vitit 2021.
Klosi vuri në dukje se Fieri rezulton qarku më i fortë për Partinë Socialiste, ndërsa Tirana mbetet zona me peshën më të madhe elektorale dhe njëkohësisht sfida kryesore politike.
“Nga 12% e anëtarësisë, numri i të rinjve u rrit në 25% krahasuar me 2021-shin. Numri i grave pati një rritje nga 26% në 34%. Dëshmi e qartë se vetëm në pak muaj riorganizimin përmirësuam ndjeshëm treguesit. Fieri del qarku më i fortë, por shumica e qarqeve janë mesazh stabiliteti për PS. PS nuk është vetëm forcë e parë, por është forca që organizon terren. Tirana është rezervuari më i madh i votës sonë, kjo e bën Tiranën edhe sfidën më të madhe. Lezha për pak vota nuk ia doli të ishte qark fitues, Kukësi dhe Shkodra mbeten territore ku beteja vazhdon. Ndryshimi ndaj 2021, kemi pasur disa pika të rëndësishme. Dibra fiton me 11.5% më shumë, Fieri 10.1%. Shkodra 9.6% më shumë, Gjirokastra me 8% dhe kështu qarqet vazhdojnë pothuajse të gjitha në tendencë rritje”, tha Klosi.
Duke u ndalur te qarku i Tiranës, Klosi evidentoi problematikat që kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor, duke theksuar se humbja në bashkinë e Kavajës ka pasur ndikim negativ në performancën e përgjithshme të PS në këtë qark.
“Në humbja e një bashkie si Kavaja na dëmton në rezultatin e të gjithë qarkut të Tiranës”, u shpreh ai, duke nënvizuar se, ndonëse Tirana konsiderohet qark i fituar, rezultati nuk përfaqëson maksimumin e mundshëm për Partinë Socialiste.
“Nuk kemi arritur akoma maksimumin tonë, këtu flas për të gjithë qarkun. Ka ardhur koha për rivlerësim të njohjes së listës nga strukturat e PS, AI mund të na japë mundësi që duke bashkuar punën e administratës lokale. Kemi një pjesë të listës që është e panjohur për strukturat tona, e kemi bërë kur kemi qenë në opozitë. Sot që kemi teknologji, duhet të kemi strukturë që ta njohë më mirë listën përkatëse”, theksoi Klosi.
Lini një Përgjigje