Pas përfundimit të seancës së dytë gjyqësore në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme, avokati i tij mbrojtës, Kujtim Cakrani, deklaroi se procesi ndaj Metës dhe Monika Kryemadhit do të vijojë me gjykim të zakonshëm, me synimin për të provuar pafajësinë e tyre.
Në një deklaratë për mediat, Cakrani tha se gjykata vendosi të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për bashkë të pandehurit dhe njëkohësisht ndarjen e dosjes.
“Gjykata sot, pasi dëgjoi prokurorin në mënyrë të përmbledhur përsa i përket bashkë të pandehurve, vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e çështjes, duke u bazuar te neni 93. Tashmë çështja do të rihidhet përsëri në short dhe presim që trupi gjykues i ardhshëm do të shqyrtojë çështjen në themel të zonjës Kryemadhi dhe zotit Meta”, u shpreh avokati.
Sipas tij, mbrojtja do të paraqesë një numër të madh provash dhe dëshmitarësh në procesin gjyqësor.
“Ne do të paraqesim provat tona. Fatmirësisht kemi shumë kërkesa për pavlefshmëri, papërdorshmëri, por edhe marrjen e provave, jo vetëm ato me dëshmitarë që janë rreth 120 dëshmitarë nga ana jonë, por edhe prova të reja, si raporti i vlerësimit financiar dhe shumë prova të tjera”, deklaroi Cakrani.
Avokati theksoi se zgjedhja për të vijuar me gjykim të zakonshëm ishte e qëllimshme për të kundërshtuar akuzat e SPAK.
“Padyshim që do shkonim me gjykim të zakonshëm, sepse donim të provonim pafajësinë”, tha ai.
Cakrani pretendoi gjithashtu se gjatë seancës prokuroria nuk paraqiti prova që implikonin drejtpërdrejt Ilir Metën.
“Ju e patë që prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte zotin Meta. Të paktën flas për zotin Meta, që unë jam përfaqësues i tij ligjor. Zoti Meta nuk hynte në asnjë nga bisedat, qofshin telefonike, qofshin mesazhet, e-mailet, por edhe takimet”, u shpreh ai.
Avokati komentoi edhe vendimin e gjykatës për të mos pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj ish-presidentit.
“Ne do të vazhdojmë betejën tonë, edhe pse gjykata sot nuk na pranoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit”, deklaroi Cakrani.
Gjykata e Posaçme vendosi që Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku të gjykohen me procedurë të shkurtuar, ndërsa çështja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit do të vijojë me gjykim normal.
Lini një Përgjigje