TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 15:54

Kushdo, përveç Schröder: BE-ja në kërkim të një emisari për Moskën

Shkruar nga Angela Mauro
Kushdo, përveç Schröder: BE-ja në kërkim të
Schröder dhe Putin /

Gjermania hedh poshtë idenë e Kremlinit për të negociuar me ish-kancelarin gjerman, i cili ka pasur role në sektorin energjetik rus. Ndërkohë, mes 27 vendeve të BE-së rihapet debati se kë duhet të dërgojnë në Moskë. Por kë? Angela Merkel-in, Mario Draghi-n apo finlandezin Sauli Niinistö?

“Jemi në dijeni të këtyre deklaratave”, të cilat “janë pjesë e një serie ofertash të rreme” nga ana e Rusisë, thonë nga qeveria gjermane sipas AFP-së. Gjermania është vendi i parë i BE-së që refuzon idenë e Vladimir Putinit për të emëruar ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder si ndërmjetës në një negociatë të ardhshme mes BE-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Arsyeja pse Berlini thotë “Jo” është e njëjta arsye pse Kremlini propozon Schröderin: pas përfundimit të mandatit si kancelar në vitin 2005, politikani socialdemokrat gjerman mbajti poste drejtuese në sektorin energjetik rus, nga Gazprom te Rosneft.

Pra, ai është një mik i Rusisë, edhe pse e ka dënuar pushtimin e Ukrainës. Për Gjermaninë dhe për BE-në, ai mbetet një figurë e mjegullt dhe e diskutueshme. Prandaj njeriu që do të dërgohet në Moskë nuk do të jetë ai. Megjithatë, çështja është rikthyer në axhendën evropiane.

“Në momentin e duhur ne do të jemi gati të flasim me Rusinë për të trajtuar çështjet që lidhen me sigurinë tonë të përbashkët”, deklaroi së fundmi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Ditën e Evropës.

Nga ana tjetër, Putin deklaroi gjatë festimeve të “Ditës së Fitores” mbi nazizmin se Rusia “nuk ka refuzuar kurrë” bisedimet me BE-në. Costa foli edhe me Zelenskyn në telefon. Në fakt, presidenti ukrainas kishte propozuar që BE-ja “të flasë me një zë të vetëm me Putinin” që në samitin evropian të Qipros më 24 prill.

Në sfond tani është detaji - jo i vogël - i armëpushimit treditor të shpallur nga Moska dhe Kievi për shkak të festimeve të 9 majit. Por ai është shkelur vazhdimisht dhe duket se negociatat për paqe mund të rifillojnë shpejt.

Të dërguarit e Donald Trumpit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, priten së shpejti në Moskë. Dhe këtë herë, BE-ja nuk dëshiron të mbetet jashtë loje. Ajo kërkon vendin e saj në tryezë. Pikërisht prej kësaj vjen edhe deklarata e Costës, e mirëpritur nga Putini.

Por kush do të ulet në emër të BE-së për të negociuar mes Rusisë dhe Ukrainës? Dhe a do të përfaqësojë vetëm Bashkimin Evropian, apo edhe Kanadanë dhe Britaninë e Madhe - vendet joanëtare të BE-së me të cilat është forcuar bashkëpunimi në çështjet e mbrojtjes?

Në fillim të vitit, evropianët u përpoqën ta hapnin këtë debat, pasi presidenti finlandez Alexander Stubb e hodhi idenë në diskutim. Edhe pse është mik i Trumpit dhe ndan me të pasionin për golfin, Stubb nuk mund të akuzohet për afërsi me Kremlinin për shkak të kombësisë së tij.

Finlanda, me mbi 1300 kilometra kufi me Rusinë, është ndër vendet më të alarmuara nga kërcënimi rus. Ideja e tij për të emëruar një të dërguar evropian për të folur me Putinin u mbështet nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe gjithashtu nga Giorgia Meloni, e cila foli për këtë në janar.

Propozimi pëlqehet edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili në fillim të shkurtit kishte dërguar emisarët e tij në Moskë për të organizuar një takim me Putinin. Nisma franceze rikujton përpjekjet që Macron bëri edhe para pushtimit rus të Ukrainës: kontakte dhe telefonata mes Elizesë dhe Kremlinit për t’i dhënë Francës një rol diplomatik në emër të gjithë BE-së.

Megjithatë, në atë kohë, lëvizja e mbështetur edhe nga ish-kryeministri italian Mario Draghi, u bllokua nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili vendosi të ndiqte një përplasje të plotë me Rusinë.

Ndërsa në fillim të këtij viti, përpjekja evropiane për të emëruar një emisar për Kremlinin u mbulua nga lufta izraelito-amerikane kundër Iranit, që shpërtheu më 28 shkurt. Që nga ajo kohë, çështja ukrainase ka kaluar në plan të dytë dhe dështimi i Trumpit - i cili mendonte se do ta bindte Putinin për paqe që vitin e kaluar - është bërë më pak i dukshëm, të paktën në media.

Debati evropian mbi të dërguarin është pezulluar. Në shkurt, Macron dhe Ursula von der Leyen e diskutuan çështjen në një takim midis tyre në Paris. Profili i të dërguarit ende nuk është përcaktuar, por me siguri nuk do të jetë një person që mban aktualisht ndonjë post qeveritar.

Më shumë preferohet një ish-kryeministër apo ish-udhëheqës. Schröder, i cili nuk ka komentuar deklaratat e Putinit, është jashtë loje. Por mund të jetë jashtë loje edhe Angela Merkel. Sipas disa burimeve, ish-kancelarja nuk do ta pranonte një rol të tillë.

Për më tepër, edhe Merkel konsiderohet shumë pranë Moskës. Jo vetëm sepse flet rusisht, gjë që do ta ndihmonte në një rol të mundshëm ndërmjetësues, por edhe për marrëveshjet energjetike që negocioi me Rusinë, si Nord Stream dhe Nord Stream 2, me këtë të fundit që nuk hyri kurrë në funksion për shkak të kundërshtimit amerikan dhe pushtimit rus të Ukrainës.

Kështu rikthehet në diskutim edhe emri i Mario Draghit, i cili po ashtu tentoi një qasje ndaj Moskës në fillim të konfliktit. Por ish-kryeministri italian, autor i një raporti mbi konkurrueshmërinë që ka mbetur kryesisht i pazbatueshëm për shkak të reformave të vështira për shumë vende anëtare, nuk gëzon shumë simpati mes 27 vendeve të BE-së.

“Ai nuk mund të jetë kandidat për gjithçka…” - shprehen disa burime evropiane me një farë bezdie. Një tjetër emër që qarkullon është ish-presidenti finlandez Sauli Niinistö, autor i raportit mbi mbrojtjen evropiane.

Kombësia e tij i qetëson vendet baltike dhe nordike, të cilat janë ndër më anti-ruset në BE. Ky është një debat që BE-ja po përgatitet ta hapë nën presionin e partive euroskeptike. “Evropa duhet të mos e lërë pa përgjigje hapjen e Putinit. Pas 4 vitesh luftë, vdekjesh dhe sanksionesh, duhet të rikthehet diplomacia”- thuhet në një deklaratë të partisë italiane LEGA të Matteo Salvinit.

Por kulmin e arrin kryeministri sllovak Robert Fico, i vetmi udhëheqës evropian që mori pjesë në paradën ushtarake të së shtunës në Sheshin e Kuq. Fico zhvilloi edhe një takim të gjatë bilateral me Putinin.

“Mungesa e një dialogu të plotë politik është një gabim i madh”- deklaroi ai të dielën pas kthimit nga Moska. “Bashkimi Evropian kufizohet vetëm në vendosjen e sanksioneve, të cilat në fakt vetëm sa e forcojnë vetë-mjaftueshmërinë e Rusisë në sektorë të ndryshëm. Dëshira e BE-së për të ndërprerë plotësisht energjinë ruse e dëmton konkurrueshmërinë evropiane. Nuk mund të zëvendësosh një varësi energjetike me një tjetër, për shembull me atë të SHBA-së. Për më tepër, kjo do të na kushtonte më shumë. Çmimet e larta të energjisë i konsideroj si një taksë që qytetarët po paguajnë për obsesionin ideologjik dhe të pamend të BE-së kundër Rusisë”- shtoi Fico.

Sa më shumë që BE-ja e shtyn diskutimin për të dërguarin e saj ndaj Putinit, aq më shumë kjo çështje shndërrohet në një terren propagande për euroskeptikët, gjë që i shkon për shtat Donald Trumpit, i cili nuk tregon asnjë interes për të pasur një përfaqësues evropian në negociatat me Moskën. Përkundrazi, ai është përpjekur gjithmonë ta përjashtojë BE-në./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

schröder putin emisari për moskën i be

Lini një Përgjigje