TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 16:47

“Majko më tha mos u ngatërro”/ Dëshmi të forta në gjyqin për “Partizanin”, ish-drejtuesit rrëfejnë procesin e privatizimit

Shkruar nga Pamfleti
“Majko më tha mos u ngatërro”/ Dëshmi të forta
Jamarbër Malltezi në gjykatë

Dosja “Partizani”, ish-drejtuesit dëshmojnë për pronat dhe privatizimin e klubit...

Zhvillime të forta ka pasur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme, ku paralelisht me seancën ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, në një tjetër sallë u zhvillua gjyqi për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Në seancën e sotme dëshmuan disa prej ish-drejtuesve dhe funksionarëve të lidhur me klubin “Partizani”, ndërsa një nga dëshmitë më të forta ishte ajo e ish-presidentit të klubit, Albert Xhani, i cili tregoi detaje mbi takimet që kishte zhvilluar vite më parë me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe ish-ministrin Anastas Angjeli për çështjen e pronave.

Kam bërë takime me Anastas Angjelin. Në 2002-2003 jam takuar edhe për çështjen e pronave. Nuk më ka premtuar për ndonjë ndryshim ligjor. I pari që më thirri në zyrë ishte Pandeli Majko, më tha: ‘Unë e di sa e do ti Partizanin. Mos tento, të lutem. Ka pronarë ai vend’. Edhe Angjeli më thoshte që mos u lodh”, dëshmoi Xhani.

Ai tha se në atë kohë nuk kishte bërë asnjë kërkesë në Kadastër, pasi nuk dispononte dokumente pronësie.

Kërkesë në kadastër nuk kam bërë ndonjëherë. Si të bëja kërkesë kur nuk kisha asnjë dokument për tokën”, deklaroi ai.

Xhani shpjegoi se gjatë drejtimit të tij, klubi “Partizani” u kthye në shoqëri aksionere sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s, ndërsa tha se fillimisht kishte menduar se trualli nuk kishte pronarë.

Mendoja se toka nuk kishte pronar, por me kalimin e kohës zbulova se kishte 200-300 pronarë dhe 15-20 nuk ishin pronësuar”, tha ai.

Sipas dëshmisë së tij, një avokat i kishte sugjeruar se trualli mund të përfitohej përmes një kontrate përdorimi.

‘Tokat që janë për qëllime publike mbeten të tilla’, më tha ai, dhe ‘lind e drejta e parablerjes për ish-pronarët’”, deklaroi Xhani para trupës gjykuese.

Në seancë dëshmoi edhe ish-drejtori i klubit, Afrim Tola, i cili drejtoi “Partizanin” në vitet 2006-2008. Ai deklaroi se godinat e klubit ishin në gjendje të amortizuar dhe se shumica e ambienteve ishin të zëna.

Të amortizuara”, u përgjigj Tola kur u pyet për gjendjen e godinave.

Ai tha se kishte qenë pjesë e grupit të ngritur për inventarizimin e aseteve, por deklaroi disa herë se nuk mbante mend detaje konkrete mbi vlerësimet financiare.

Kam qenë pjesë e një grupi të ngritur nga ministri për të treguar asetet e klubit”, tha ai.

I pyetur nga avokatët dhe prokuroria mbi inventarizimin, Tola deklaroi: “Vetëm kemi treguar objektet.”

Ndërsa për vlerësimin financiar të godinave, ai u shpreh: “S’e mbaj mend. Këto kanë qenë akte të Financës”.

Gjatë pyetjeve të avokatit të Malltezit, Klodian Skënderaj, Tola pranoi se ambientet e klubit ishin zënë nga familje informale. “Shumica të zëna”, deklaroi ai.

Në seancë dëshmoi edhe ish-drejtori Bujar Labinoti, i cili tha se në momentin e privatizimit kishte dalë në pension, por kishte vijuar të punonte në klub deri në vitin 2012.

Albert Xhani më mbajti, pasi ishte presidenti që drejtonte klubin, ndërsa unë vazhdova deri në 2012. Ai i jepte lekët për pagat, nuk i kalonte më shteti. U bë privat”, tha Labinoti.

Përpara trupës gjykuese dhanë dëshmi edhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit të Pronave, Dhurata Çela, si dhe ish-topografi Petrit Kullolli, i cili shpjegoi procedurat e matjes dhe verifikimit të pronave në vitet 2005-2009.

I vetmi dëshmitar që nuk u paraqit në seancë ishte Isa Tare, ish-drejtori i klubit “Partizani”, pasi familjarët pretenduan se ai vuan nga demenca. SPAK kërkoi që të lexohej dëshmia e tij e dhënë më herët në prokurori, por kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja.

Seanca e radhës për dosjen “Partizani” do të mbahet më 20 maj, ku pritet të dëshmojnë ish-ministri i Kulturës Ylli Pango dhe ish-vartësja e tij, Violeta Shqevi.

Dëshmitë në GJKKO

Prokurorja Millonai: Çfarë detyre keni pasur në vitet 2006-2008?

Afrim Tola: Kam qenë drejtor i klubit shumësportësh “Partizani”, më pas në Tatime.

Prokurorja Millonai: Si ka funksionuar ky klub dhe a ka pasur objekte e staf administrativ?

Afrim Tola: Kanë qenë rreth 6-7 punonjës staf. Sportistët s’kanë pasur status. Objekte ka pasur, është bërë inventar dhe unë kam qenë në komision, por s’e mbaj mend.

Prokurorja Millonai: Vjollca Shirja, e njihni? Kur jeni larguar, në 2008?

Afrim Tola: S’më kujtohet mirë. Në 2005 kanë qenë 25 punonjës. Në kohën time staf i reduktuar. Sportistë shumë, për pagesën ka qenë një fond shumë i vogël, ku vetëm sportistët elitarë merrnin diçka. Atë vit u rregullua palestra e volejbollit dhe ajo e mundjes. Me urdhër të vitit 2003 rezulton se është miratuar Sportklubi në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Prokurorja Millonai: Për procedurat e privatizimit çfarë roli keni pasur dhe çfarë veprimesh keni bërë?

Afrim Tola: Kam qenë pjesë e një grupi të ngritur nga ministri për të treguar asetet e klubit.

Millonai: Ke qenë pjesë e grupit të vlerësimit. Çfarë keni bërë?

Afrim Tola: Vetëm kemi treguar objektet.

Millonai: Keni pasur investime?

Afrim Tola: Kemi pasur një fond të vogël, që mezi mbanim frymën gjallë.

Millonai: Në kërkesën për shkurtim fondesh keni pasur rol?

Afrim Tola: Jo.

***

Klodian Skënderaj: Si ishte gjendja e godinave?

Afrim Tola: Të amortizuara.

Klodian Skënderaj: Thatë se keni bërë inventarizim. Konkretisht, çfarë përmbante?

Afrim Tola: S’e mbaj mend fare.

Klodian Skënderaj: Në dijeninë tuaj, mbani mend nëse ka pasur familje informale që kishin zënë ambientet?

Afrim Tola: Ka pasur.

Klodian Skënderaj: Mbani mend të keni vendosur shifër konkrete për vlerësimin?

Afrim Tola: S’e mbaj mend. Këto kanë qenë akte të Financës.

Klodian Skënderaj: Çfarë përmbajtje ka ky inventarizim?

Afrim Tola: Janë të gjitha godinat.

Klodian Skënderaj: Vlerësimi sipas formularit është 20 milionë lekë.

Gjyzari: Duke qenë se në formular ka disa objekte të zëna forcërisht, kur është bërë inventari?

Afrim Tola: Më vonë.

Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni se ka një shkresë të vitit 2003 ku thuhet se godinat kanë qenë të zëna forcërisht?

Afrim Tola: S’më kujtohet.

Jamarbër Malltezi: Jeni në dijeni se Edi Rama i ka firmosur të gjitha shkresat që objektet janë të zëna?

Afrim Tola: S’e di.

Jamarbër Malltezi: Kanë qenë të zëna edhe godinat e Sport Klub “Partizani”?

Afrim Tola: Shumica të zëna.

***

Petrit Kullolli: Kam qenë i punësuar në vitet 2005-2009 në Agjencinë e Kthimit të Pronave. Kam qenë topograf i Tiranës. Ne verifikonim sipërfaqen, kemi bërë matje me metra dhe instrumenta. Kur është toka e sheshtë, masnim 100 mijë metra. E përshkruanim në skicë. Bënim edhe matje fizike. Ne merrnim hartën dhe bënim dosje me fotokopje. Këto bëheshin brenda ditës. Ditët që shkonim për verifikime merrnim edhe pronarët e tokës.

Në kohën time më caktonte drejtoresha. Jamarbër Malltezin e njoh se është person publik dhe nuk jam takuar kurrë me të. Kemi qenë dy herë, një herë për Begejat dhe një herë për 3 familje të tjera. Inxhinier Nexhat Turkeshi e kam pasur profesor dhe hartat që bënte ai ishin 100% të besueshme. Në punën time private kontaktoja me një person që kishte letra për pronën. Për pronat e Begejave i jam referuar dokumenteve kadastrale dhe hartës së vitit 1937.

***

Dhurata Çela: Në Agjencinë e Kthimit të Pronave kam qenë në vitin 2006 dhe jam larguar në fillim të vitit 2007. Kam qenë drejtoreshë. Kryesisht çohej kërkesa nga subjektet. Pasi plotësohej dokumentacioni, dosja kalonte në hapin tjetër. Në kohën time nuk e di sa topografë dhe juristë kam pasur. Gjithçka kalonte nëpërmjet protokollit. Për familjet ish-pronare kam nxjerrë vendime. Për këto familje kam bërë plotësim vendimi. Ishte kthim dhe kompensim për pronë, por ishte diçka që mund të rihapej si dosje. Nëse institucionet u shkrinë, ndryshuan disa procedura. /Pamfleti

malltezi partizani

2 Komente

  1. N
    Na myten

    Te forta shumë! E ka sqaruar deshmia e Albert Xhanit i cili ne cilesine e presidentit te klubit Partizani, pas privatizimit te ketij te fundit, tentoi te privatizonte asetet e klubit dhe tokën. U mor vesh qe atehere por ngeci dhe e sqaron tek deshmite qe jep. Majko, Angjeli dhe avokati ia kane sqaruar qe Klubi Partizani (si shoqeri private) me kete si president nuk beheshin dot pronare te nje prone publike e cila më parë kishte qenë private. Nese shpallej per privatizim te drejten e para-blerjes e kane te parët ish-pronaret. "Partizani" mundej vetem ta merrte me qira tokën por jo ta privatizonte. Rama e ktheu në truall për ndërtim dhe aty u aktivizua procesi i para-blerjes nga ish-pronaret.

    1. i
      iMac Isai

      Sipas portale e Te tjera Albert Xhani deklaroi se ndryshimi i destinations te pro ave u be nga ish kryebashkiaku Tirones ne ate kohe Rama , dhe sipas light kjo perben krim penal . Ky qenka nje gjyq politik I Sakura nga Rama ne bashkepunu m me spak kunder kundershtareve politik Te Rames .Spak beri padi penal ne base Te nje paid penal te Balles qe po resulting e rreme Sic po del Spak , Rama , Balla duhet ti paguajne Te demtuarve demet nga attention politik 1 clever Berishes , Maltese demet nga buggy she arrested skeptical dhe pronareve Te gjithe demet we Kane pesu nga Ky gjyq falls

      Lini një Përgjigje