TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 16:12

“Orën e kam para 20 vitesh”, Meta ia hedh fajin Kryemadhit: Jam i divorcuar, nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e saj

Shkruar nga Pamfleti
“Orën e kam para 20 vitesh”, Meta ia hedh fajin Kryemadhit: Jam
Meta në sallën e gjyqit

Zbardhen të tjera detaje nga seanca ndaj Ilir Metës.

Gjatë fjalës së tij në sallë, Meta tentoi të distancohej nga veprimet e ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, duke deklaruar se përgjegjësia penale është individuale dhe se ai nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprime të kryera pa dijeninë e tij.

Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj, në seancën paraprake edhe zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin i divorcuar, unë mos të mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam para 20 vitesh. Nuk i kushtoj shumë rëndësi këtyre”, deklaroi Meta në sallën e gjyqit.

Deklarata e ish-presidentit erdhi në një moment kur SPAK po lexonte prova dhe komunikime nga dosja hetimore që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimet e LSI-së në SHBA dhe marrëdhëniet me biznesmenin Ardian Shatku.

Sipas prokurorisë, Meta dhe Kryemadhi kanë ushtruar ndikim për futjen në treg të kompanisë së Shatkut në sektorin e fibrave optike.

Meta e Kryemadhi kanë marrë përsipër të ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA që kompania e Ardian Shatkut të futet në treg”, deklaroi prokurori i SPAK, Sotir Kllapi.

Në sallë u lexuan edhe episode që lidhen me shpenzime të pretenduara të Monika Kryemadhit.

Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, tha prokurori.

Gjatë seancës pati edhe debate për transmetimin live të procesit dhe praninë e publikut në sallë. Avokatët e Metës kundërshtuan kufizimin e mediave dhe mënyrën e mbajtjes së ish-presidentit në kafazin e xhamtë.

Gjykata rrëzoi kërkesën për transmetim të drejtpërdrejtë të seancës, me argumentin se mund të cenohej parimi i pafajësisë dhe privatësia e dëshmitarëve.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me aferën CEZ-DIA dhe lobimet e LSI-së në SHBA.

meta gjykate kryemadhi

Lini një Përgjigje