Zhvillime të forta në seancën kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit...
Seanca e dytë në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta u dominua nga deklaratat e prokurorit të SPAK, i cili lexoi në sallën e gjyqit prova nga dosja hetimore për aferën CEZ-DIA, lobimet e LSI-së në SHBA dhe marrëdhëniet e Metës e Monika Kryemadhit me biznesmenin Ardian Shatku dhe ish-administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailaj.
Gjatë paraqitjes së provave, prokurori Sotir Kllapi, deklaroi se hetimet kanë evidentuar komunikime intensive mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt.
“Meta ka pranuar se e njeh Kastriot Ismailajn, ka mesazhe intensive. Meta në vitin 2009 i ka çuar SMS dhe i ka shkruar: ‘dua 200’”, deklaroi prokurori i SPAK në sallën e gjyqit.
Sipas akuzës, Meta dhe Kryemadhi kanë ndërhyrë për interesa të biznesmenit Ardian Shatku në sektorin e fibrave optike dhe në çështjen CEZ-DIA.
“Meta e Kryemadhi kanë marrë përsipër të ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA që kompania e Ardian Shatkut të futet në treg. Ka komunikime të vazhdueshme, takim të Metës në Marok dhe SHBA. Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave në Shqipëri”, tha prokurori.
SPAK pretendon se çifti Meta-Kryemadhi ka ushtruar ndikim edhe në institucione shtetërore për të favorizuar kompaninë e Shatkut.
“Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut. Ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë urdhrin nr. 1814, datë 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës”, u shpreh prokurori.
Në sallën e gjyqit u lexuan edhe komunikime që, sipas SPAK, lidhen me negociimin e kontratave dhe interesat ekonomike të përfshira në këtë çështje.
“Kryemadhi i ka shkruar Shatkut se ‘ne duam kontratën’, duke u nënkuptuar se e do edhe Meta. LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, duke raportuar se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e 4 muaj, por realisht ishte vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh që kaloi nga llogaria. Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, tha përfaqësuesi i akuzës.
Ndërkohë, mbrojtja kërkoi transmetimin live të seancës, por kërkesa u rrëzua nga gjykata me argumentin se mund të krijonte “presion publik dhe mediatik”.
Monika Kryemadhi kërkoi që seanca të ishte publike, duke deklaruar se “shqiptarët duhet të shohin provat”, ndërsa avokatët kundërshtuan mungesën e transmetimit duke pretenduar se nuk ekziston bazë ligjore për ndalimin e tij.
SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në proces janë të përfshirë edhe Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho. Gjykata pritet të vendosë nëse do të pranojë kërkesat për gjykim të shkurtuar për tre të pandehurit e tjerë. /Pamfleti
E ku ishte Kastriot Ismaili këtu? E njeh, apo nuk e njeh! Ku ishte ky personi ketu?