Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Në GJKKO po zhvillohen disa procese të rëndësishme gjyqësore. Në dosjen “Partizani”, SPAK ka paraqitur 7 dëshmitarë në procesin ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, ndërsa gjykata ka pranuar edhe kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama, në lidhje me ndryshimet e përdorimit të truallit të ish-kompleksit sportiv.
Në një tjetër çështje të bujshme, Gjykata e Posaçme ka lënë në paraburgim Ilir Metën, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë me garanci pasurore apo masa më të lehta. SPAK argumenton se ekziston rrezikshmëri shoqërore dhe nuk ka kushte për ndryshim mase, ndërsa Meta dhe mbrojtja e tij i referohen vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë dhe kërkojnë lirimin pas 19 muajsh në paraburgim. Seanca e gjyqit në themel vijon me praninë e deputetëve të PD dhe PL në mbështetje të tij.
Në një tjetër zhvillim, SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve për gjyqtaren Irena Gjoka, ndërsa Gjykata ka rrëzuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Marinela Osmani nga shqyrtimi i çështjes, duke e lënë atë në dosje. Po ashtu, është zbardhur një dënim i formës së prerë në Greqi për kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili është dënuar me 6 muaj burg për falsifikim.
Në Lezhë vijojnë hetimet për një ngjarje të rëndë ku një ish-kreu i PD-së u dhunua fizikisht. Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe dyshimet janë për përfshirje të mundshme të individëve me lidhje politike apo kriminale, ndërsa hetimet janë ende në fazë aktive.
Ndërkohë, Apeli ka liruar 5 protestues të arrestuar pas protestave me molotov, duke zëvendësuar masën “arrest me burg” me “detyrim paraqitje”.
Në Tiranë, policia arrestoi një 40-vjeçar që përplasi makinën në shkallët e Kryeministrisë dhe goditi me shqelma derën e institucionit; autoritetet dyshojnë se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Në sistemin shëndetësor, në Korçë u arrestua një kirurg i spitalit rajonal, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një 21-vjeçareje që ishte paraqitur për trajtim urgjent dhe ndërhyrje kirurgjikale.
Në Francë, një ngjarje tragjike në periferi të Lionit la 3 viktima dhe 14 të plagosur, pasi një pallat u përfshi nga zjarri. Autoritetet po hetojnë pistën e një zjarrvënieje të qëllimshme, me dyshime për lidhje me larje hesapesh në trafikun e drogës, ndërsa zona ka qenë më herët e përfshirë në episode të dhunshme.
Lini një Përgjigje