TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Maj 2026, 14:51

Dëshmia e Afrim Tolës në dosjen “Partizani”, zbardhen deklaratat në gjykatë

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmia e Afrim Tolës në dosjen “Partizani”, zbardhen
Berisha, Malltezi dhe klubi Partizani

Ish-drejtori i klubit sportiv foli për gjendjen financiare, inventarizimin dhe procesin e vlerësimit të aseteve

Afrim Tola dha dëshmi në seancën gjyqësore të dosjes “Partizani”, ku mes të pandehurve ndodhet edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ai deklaroi se gjatë viteve 2006-2008 ka drejtuar klubin shumë-sportësh “Partizani” dhe se institucioni përballej me mungesë fondesh.

Sipas tij, vetëm sportistët elitarë paguheshin nga shteti, ndërsa për pjesën tjetër kërkoheshin forma të tjera financimi. Tola tha se klubi përfshinte shumë disiplina sportive dhe fondet ishin të kufizuara.

Në dëshminë para gjykatës, ai shpjegoi se kishte qenë pjesë e grupit të punës të ngritur nga ministria për evidentimin dhe vlerësimin e aseteve të klubit. Ai deklaroi se detyra e grupit kishte qenë identifikimi i aseteve dhe përgatitja e vlerësimit të tyre.

I pyetur nga përfaqësuesit e SPAK, Tola tha se gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si drejtor nuk ishte kontaktuar nga persona të tjerë lidhur me procesin.

Ndërsa gjatë pyetjeve nga mbrojtja, ai u shpreh se nuk mbante mend nëse kishte firmosur dokumente që lidheshin me privatizimin, duke theksuar se kanë kaluar shumë vite nga ajo periudhë. Më pas pranoi se kishte qenë pjesë e komisionit të inventarizimit.

Tola foli edhe për gjendjen e kompleksit sportiv, duke e përshkruar atë si të amortizuar. Ai deklaroi se një pjesë e ambienteve ishin dëmtuar dhe në disa raste mungonin edhe dyert. Sipas tij, kishte edhe familje që kishin zënë ambiente brenda kompleksit.

Në dëshmi u përmend edhe vlera e inventarit të vitit 2006, që sipas Tolës ishte rreth 20 milionë lekë.

Gjatë pyetjeve nga Jamarbër Malltezi, dëshmitari pranoi se disa objekte ishin zënë forcërisht, por tha se nuk kujtonte një shkresë të vitit 2003 që lidhej me problemet e inventarizimit.

Në fund të seancës, Tola deklaroi se nuk kishte pasur kontakte me biznesmenin Fatmir Bektashi gjatë kohës që drejtonte klubin “Partizani”. Ai tha se kishte dëgjuar emrin e tij, por nuk mbante mend ta kishte takuar ndonjëherë.

 

partizani berisha malltezi

Lini një Përgjigje