TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 17:34

Dhunimi i ish-kreut të PD në Lezhë, reagon Pjerin Ndreu: I kam kërkuar Policisë të identifikojë autorët!

Shkruar nga Pamfleti

 

Dhunimi i ish-kreut të PD në Lezhë, reagon Pjerin Ndreu: I kam
Pjerin Ndreu dhe Sokol Toma

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas dhunës ndaj Sokol Tomës, 53 vjeç, ish-drejtor i Urbanistikës në bashki dhe ish-kryetar i PD-së në Lezhë.

Ndreu e cilësoi ngjarjen të papranueshme dhe njoftoi se u ka kërkuar drejtuesve vendorë të Policisë të punojnë për identifikimin e autorëve dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.

Sokol Toma u sulmua një ditë më parë, teksa po udhëtonte me makinë nga Tirana drejt Lezhës. Persona të maskuar i dolën përpara në autostradën Laç-Mamurras, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, dhe e dhunuan.

Ai ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, me dëmtime në dy këmbë dhe në njërin vesh.

Në reagimin e tij, Ndreu hodhi poshtë informacionet e përhapura për prerje veshi, duke i quajtur spekulime që krijojnë keqinformim.

Toma ka mbajtur më herët detyra në Bashkinë e Lezhës. Ai është dënuar nga GJKKO bashkë me ish-kryebashkiakun Fran Frrokaj për çështjen e tjetërsimit të pronave në bregdet.

Ndreu tha se dhuna cenon sigurinë e qytetarëve dhe kërkoi që autorët e ngjarjes të identifikohen sa më shpejt.

Pjerin Ndreu: Aktet e shëmtuara të dhunës janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë. Dënoj me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj një anëtari të komunitetit lezhjan.

Kushdo që e ka menduar, organizuar apo kryer këtë akt duhet ta dijë se ligji, herët a vonë, të gjen dhe të vendos përpara përgjegjësisë. Edhe më të papranueshme janë banalitetet mediatike dhe spekulimet për “prerje veshi”, të cilat vetëm sa shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik.

I kam kërkuar drejtuesve vendorë të policisë të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.

Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë. Kushdo që perdor gjuhë të dhunshme, duhet të ndalë dhe të reflektojë pasi komunitetit lezhjan nuk ka asnjë lidhje me sjellje banale presioni dhe dhunë që herë pas here shfaqen!

 

pjerin ndreu sokol toma dhunimi

Lini një Përgjigje