TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Gusht 2025, 10:22

Karagjozllëku me diasporën u financua nga korrupsioni i Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

 Karagjozllëku me diasporën u financua nga korrupsioni i Tiranës

Investime, media dhe paradat luksoze; një skenar për të zëvendësuar shpresën e diasporës me budallenjtë e paguar të politikës shqiptare...

Shteti shqiptar, që në themelimin e tij mori vulën e emigrantëve, shqiptarëve që larguan nga dhuna dhe padrejtësia osmane për të gjetur një jetë më të mirë dhe më të begatë jashtë vendit, ka pasur gjithmonë lidhje të ngushta me diasporën.

Kolonitë shqiptare të Rumanisë, Egjiptit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të Turqisë dhe Selanikut, ishin aktive jo vetëm gjatë Rilindjes Kombëtare, por edhe më tej.

Organizata “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës i dha një vulë të qartë orientimit politik, intelektual dhe perëndimor të shtetit të ri shqiptar.

Imzot Fan Noli, me veprat e tij kulturore, diplomatike dhe teologjike, i dha Shqipërisë një ndriçim që pati ndikim të drejtpërdrejtë në kancelaritë perëndimore. Kontributi i figurave të diasporës shqiptare nuk u kthye asnjëherë mbrapsht, pasi ata dhanë shumë dhe nuk morën asgjë nga shteti që ndihmuan të krijohej. Edhe sot, eshtrat e Nolit qëndrojnë në SHBA, ndërsa Konica u varros në atdhe në fillim të viteve ’90.

Sunduesit e Shqipërisë gjithmonë i përdorën shqiptarët e diasporës, por i mbajtën larg dhe nuk i shpërblyen për punën dhe kontributin e tyre.

Në vitin 1990, diaspora shqiptare nuk u përfshi në procesin politik pas rrëzimit të komunizmit, ndërkohë që në vende të rajonit si Kroacia, Sllovenia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, shumë mendje të ardhura nga emigracioni u aktivizuan. Në Shqipëri, aktivizuan vetëm pjesë të dyshimta të diasporës, të lidhura me interesa politike dhe shtete të tjera.

Kështu, Sali Berisha erdhi si orientim nga një pjesë e dyshimtë e diasporës në SHBA, ndërsa qarqet greke afruan dhe orientuan njerëzit e tyre për realizimin e objektivave të greqizimit të jugut të vendit.

Në vitet e fundit pati përpjekje nga SHBA për të aktivizuar diasporën shqiptare për të kontribuar në Shqipëri. U sollën në ndihmë prokurorë të njohur si Gjon Juncaj dhe Suzana Shkreli, me qëllim për të përfshirë pjesë të diasporës në administratën e re, por ky proces u bllokua që në fillim nga një aleancë e fshehtë e kastës së vjetër politike.

Mazhoranca, me Fatmir Xhafën, hartoi rregulla të ngrira që përcaktonin karrierën në gjyqësor me të paktën 10 vjet eksperiencë, ndërsa opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës bllokoi çdo kërkesë për përfshirje të juristëve nga Perëndimi, duke nisur nga vettingu. U inskenua një negociatë ku palët duheshin të lëshonin, por e vetmja pikë ku nuk u bë kompromis ishte ndalimi ligjor i punësimit të shqiptarëve të diasporës në Prokurorinë Speciale dhe gjykatat e reja.

Bllokimi i diasporës në drejtësinë e re detyroi SHBA-të të shtyjnë pjesëmarrjen e emigracionit në politikë, duke lejuar vetëm votën e shqiptarëve jashtë vendit, por ky objektiv nuk pati presion të madh për shkak të ndryshimeve në administratën amerikane dhe zhvillimeve botërore.

Edi Rama dhe Sali Berisha, pas marrëveshjes për kontrollin e PD-së, ranë dakord të lejojnë votën e diasporës, por në mënyrë të kontrolluar nga partitë e tyre. Në këtë mënyrë, pjesa e diasporës që përfshihej në aktivitet politik do të kontrollohej nga strukturat e PS-së dhe PD-së, ndërsa pjesa tjetër do të pengohej.

Një tjetër zhvillim ishte investimi i madh nga kasta e vjetër në diasporën në SHBA për të përfshirë pjesën më militante dhe më butaforike të saj. Të dyja palët, Berisha dhe Rama, shpenzuan sasi të mëdha parash për të mbështetur media dhe personazhe në rrjete sociale, duke injektuar polarizim në komunitetin e diasporës.

Ish-ministra, ish-deputetë, ish-drejtues policie, ushtrie dhe administrate me banim në SHBA u aktivizuan në organizatat e diasporës për të ndikuar politikisht.

Disa personazhe, si ata të mediave që sulmojnë pa pushim dhe mbrojnë Berishën, apo Pëllumb Pilinçi që sulmon “të gjitha palët”, janë kthyer në karikaturë dhe bëjnë gallata për çdo qytetar normal të diasporës. Djallëzia është e thellë, pasi përdoren forma perfide si paradat e makinave luksoze dhe truprojat e shumta, për të shndërruar një dëshirë të sinqertë të diasporës në një parodi.

Nëse do të donte Edi Rama, parada që shkakton neveri e “profesor Pilinçit” mund të reduktohej, duke mos lejuar gardistët e tij të bllokonin rrugët me autokolona qesharake. Por duket se qëllimi është pikërisht të lodhet dhe mërzitet publiku, duke zëvendësuar shpresën e diasporës me figura të paguara nga korrupsioni, për t’i shërbyer padronëve të tyre.

Është detyra e përfaqësuesve më të zëshëm dhe patriotë të diasporës të denoncojnë këtë skenar, duke luftuar kundër kastës së vjetër dhe lobuar në dyert e Uashingtonit që të mbështetet pjesa më e mirë e diasporës, e cila mund të bëhet një pjesë e rëndësishme e opozitës ndaj kastës së vjetër./Pamfleti

karagjozllëku me diasporën korrupsioni i tiranës

Lini një Përgjigje