
SPAK deklaroi dje se nuk ka regjistruar procedim për asnjë prej deputetëve të rinj, por a ishte një dredhi e SPAK?
Prokuroria e Posaçme bëri dje një deklaratë disi të habitshme. Në një reagim për një televizion, Prokuroria e Posaçme deklaroi se nuk ka regjistruar procedim penal për asnjë nga 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.
“Emrat e përfshirë në listat e dërguara nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thotë SPAK.
Por përgjigjja e saj ka ngjallur habi, pasi në realitet janë disa emra që po hetohen. Argumentet duket se janë dy: E para që kjo mund të jetë strategji. SPAK asnjëherë nuk regjistron procedim me emra për zyrtarët e lartë. Ajo vijon hetimet për sa kohë i duhet dhe në fund bën regjistrimin, për të mos thënë para se të kërkojë masë sigurie. Arsyeja është se nëse bëhet regjistrim me emra konkretë, ligji vendos afate kohore për hetimet.
E dyta është se SPAK ndoshta është dorëzuar përballë politikës. Që pas arrestimit të Veliajt, nuk ka pasur më asnjë emër të rëndësishëm të arrestuar. Madje flitet se fitorja e thellë e PS në 11 maj ka demotivuar prokurorët.
Dyshimet janë se SPAK mund ta ketë strategji, kjo pasi janë disa emra që po hetohen dhe sipas burimeve, hetimet janë në fazën e veprimeve paraprake, pra nuk ka regjistrim procedimi penal.
Kemi Olta Xhaçkën, ku hetimet për aferat me pronat e ushtrisë vijojnë, sidomos për atë të Sarandës. Vetë SPAK nuk ka regjistruar procedim në emër të ish-ministres, por emri i saj është aty.
Belind Këlliçi po hetohet për falsifikim dokumentesh dhe fshehje pasurie. Ai është marrë në pyetje dhe vetë e ka pranuar se SPAK po e hetonte. Kemi Luan Baçin, nën hetim për fshehje pasurie. Ai ka shkuar vetë në SPAK dhe e ka pranuar një gjë të tillë. Po ashtu edhe pasuria e Flamur Nokës është vendosur në verifikim. Emër tjetër është Ceno Klosi i PS, i cili po hetohet për kohën kur ishte drejtor Tatimesh.
Ndërkohë, nuk duhet harruar se kemi Sali Berishën dhe Fatmir Mediun që janë në proces gjyqësor; ndërkohë i pandehur është marrë edhe Bardh Spahia. /Pamfleti
Lini një Përgjigje