
Qeveria shfrytëzon skemat financiare për të pasuruar klientët dhe oligarkët, duke thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve...
Qeveria e majtë e Edi Ramës e ka kthyer korrupsionin në një sistem të institucionalizuar, ku çdo hap i shtetit është shndërruar në mundësi për pasurimin e klientëve, miqve dhe oligarkëve. Në vend që të mbrojë ekonominë e mesme dhe të mbështesë biznesin e vogël, politika fiskale dhe doganore e qeverisë i hap dyert padrejtësive dhe përfitimeve të paligjshme.
Skemat e “Investitorëve Strategjikë” dhe përfituesve të pasurive me “Kontrata 1 Euro” nuk janë thjesht favore individuale, por instrumente sistematike për të evituar çdo detyrim fiskal dhe doganor, duke i dhënë miliona euro oligarkëve, ndërkohë që shtresa e mesme paguan çdo taksë, çdo faturë dhe çdo rritje çmimesh. Me këto politika, qeveria nuk po shpërndan thjesht burimet, po po shkatërron ekonominë e qytetarëve të zakonshëm.
Ndërkohë që disa kompani futen në vend pa paguar taksa doganore, pagat mesatare mbeten të ngrira, shërbimet publike janë nën presion, dhe çdo rritje çmimi godet qytetarët e zakonshëm. Oligarkët dhe klientët politikë fitojnë falas tokë, pyje, plazhe, koncesione dhe monopole, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me inflacionin, papunësinë dhe taksat që rriten në heshtje.
Rezultati është një hendek i llahtarshëm mes të pasurve dhe të varfërve. Pakica e pasur, e lidhur drejtpërdrejt me pushtetin, jeton në luks dhe privilegje, ndërsa shumica humbet shpresën dhe mundësitë për të përparuar ekonomikisht. Shtresa e mesme, dikur kolonë e stabilitetit, po shembet gradualisht, duke u zhytur në varfëri dhe pasiguri, ndërsa klasa politike dhe oligarika financiare shijon përfitimet e qindra milionave euro të përfituara në mënyrë të dyshimtë.
Kjo nuk është thjesht një politikë fiskale; është një strategji e qeverisë për të shkatërruar ekonominë reale, për të blerë pushtet me para publike dhe për të krijuar një elitë të pacënueshme që kontrollon burimet, bizneset dhe kontratat e shtetit.
Qytetarët janë të detyruar të mbajnë barrën e pasurimit të pakicës dhe pasojat e vendimeve korruptive.
Në vend që të ndërtojë një ekonomi të drejtë dhe të barabartë, qeveria e Edi Ramës po krijon një Shqipëri të ndarë në dy: një vend për oligarkët dhe klientët e pushtetit, dhe një vend për ata që punojnë, paguajnë dhe vuajnë çdo ditë.
Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve rritet çdo ditë, dhe me çdo urdhër, koncesion apo përjashtim nga taksat, politika e pushtetit thellon një tragjedi sociale që do të shoqërojë vendin për dekada./Pamfleti
Lini një Përgjigje