TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Gusht 2025, 17:10

PD dhe PL “mprehin shpatat” për ‘aksionin e madh’ opozitar, Noka dhe Blushi 2 orë takim kokë më kokë

Shkruar nga Pamfleti

PD dhe PL “mprehin shpatat” për ‘aksionin e madh’

Një takim i gjatë mes Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, dhe atij të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është zhvilluar sot në selinë blu. Takimi, që zgjati rreth dy orë, u paraqit si “strategjik” për aksionin e ri opozitar në shtator.

Burime nga selia e PD bëjnë me dije se Noka dhe Blushi diskutuan “rrugën e përbashkët” që do ndjekin në terren dhe në Kuvend. Në tavolinë ishin edhe idetë për protesta të reja kombëtare, të cilat, sipas tyre,  do shërbejnë si presion ndaj qeverisë. Por ironia e hidhur mbetet e njëjta: nëse sesionin e kaluar opozita dogji Kuvendin, përplasi karriget dhe krijoi kaos në sallë, rezultati ishte sërish një disfatë e plotë në zgjedhje.

Këtë herë loja duket më e butë: opozita nuk njeh zgjedhjet, por mandatet i mban me kujdes, sepse secili deputet përfiton afro 3 mijë euro në muaj. Kështu, ndërsa për publikun flitet për “kauzë” dhe “luftë politike”, për ta realiteti është një tjetër, mandati nuk lëshohet, kolltuku është i shtrenjtë, dhe rroga është më e sigurt se çdo protestë.

Në vjeshtë pritet një tjetër sezon deklaratash të forta e protestash “të mëdha”, por shqiptarët e kanë parë këtë film edhe më parë; zhurmë, tym e retorikë pa fund, për një opozitë që duket se lufton më shumë për të ruajtur karrigen e Saliut sesa për të ndryshuar realitetin.

Lini një Përgjigje