Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimet e saj mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se veprimet me forcë nga ana e qeverisë cenojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Tendenca për të treguar forcën nga ana e qeverisë është e rrezikshme për integrimin evropian të Shqipërisë. Tregimi i forcës me policinë e ushtrinë është problematik. Shoh një tendencë për të vendosur dhunën përmes ligjit dhe jo përmes zbatimit të ligjit,” tha Tabaku për “News 24”.
Deputetja shprehu shqetësim edhe për ndryshimet ligjore të fundit.
“Kam parë me shqetësim të madh ndryshimin e Kodit Penal, ndryshimin e akuzës për korrupsionin, ligjin për zonat e mbrojtura, etj, vetëm sepse nuk i pëlqejnë dikujt. Kjo nuk është Shqipëria e vitit 2025 dhe as Shqipëria evropiane,” u shpreh ajo.
Tabaku theksoi se vendit nuk i duhen ligje të shumta të miratuara në nxitim, por reforma të thella në thelb:
“Na duhet balanca e pushtetit, kontrolli i institucioneve, një parlament i fortë, institucione që kërkojnë llogari. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi në këtë fazë të hapjes së negociatave të integrimit”, theksoi ajo.
Lini një Përgjigje