
Një ditë pas lajmit se Irfan Hysenbelliu, pronari dhe botuesi i Fokus Media Grup, u kërcënua me jetë, ka reaguar edhe kreu demokrat, Sali Berisha që e konsideron si një akt terrorizmi shtetëror.
“Në një akt të mirëfilltë terrorizmi shtetëror janë kërcënuar me jetë pronari dhe botuesi i Fokus Media Grup dhe familjarët e tij.
Ky akt terrorizmi shtetëror vjen pasi kompani shtetërore, i pushtuan me polici dhe ushtri, në një operacion tipik stalinist, zyrat dhe ndërtesat e Fokus Media Grup.
Ky akt tipik terrorist shtetëror vjen pas urdhërit të plaçkitjes së kompjuterave, laptopëve dhe desktopëve të gazetarëve për shkak të dosjeve të mëdha të korrupsionit dhe lidhjeve me kartelet e drogës të Ramës, Lulushit dhe familjarëve më të afërt të tyre.
Në të vërtetë, shkaku kryesor i pushtimit të ndërtesave të Fokus Media Grup dhe grabitjes së mjeteve personale të punës së gazetarëve janë pikërisht dosjet e tmerrshme të dy krerëve të organizatës kriminale, të cilat do të publikoheshin në shtator”, thuhet në reagimin e Berishës.
Sipas tij, kërcënimi me jetë i pronarit dhe botuesit të Fokus Media Grup, Irfan Hysenbelliu, dhe familjarëve të tij nga dyshja në krye të organizatës kriminale është një akt i mirëfilltë dhe tejet i rrezikshëm i terrorizmit shtetëror.
Berisha shkruan se këto veprime vijnë pas deklaratës së Edi Ramës, i cili në shpërthim urrejtjeje dhe hakmarrjeje primitive, tha se “me të e kam personale.”
“Rikujtoj këtu se janë zhdukur pa nam e nishan nga dora e zezë e shtetit persona për të cilët Ramaduro ka shpallur se “Me të e kam personale.”
Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt terrorizmi shtetëror, paralajmëroj Ramaduron se për çdo përdorim të shtetit për akte terroriste ndaj pronarit dhe botuesit të Fokus Media Grup, Irfan Hysenbelliu, dhe familjarëve të tij, do të ndëshkohesh si hakmarrës i verbër dhe terrorist shtetëror”, shkruan Berisha.

Lini një Përgjigje