
Por cili është halli i Ramës? Vërtet Bablokut i dhimbsen punonjësit e ASHK që rrinë në një godinë të dëmtuar nga tërmeti? Në fakt duket se shënjestra e tij është diku larg...
Kryeministri Edi Rama u është kthyer kërcënimeve dhe sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë. Teksa prej disa ditësh ndodhet te vila qeveritare në Dhërmi ku bën plazh dhe pret miqtë e tij të huaj dhe vendas, Rama sot ka sulmuar sërish gjyqtarin Hazbi Balliu.
Sulmi i parë u bë më 1 gusht dhe shkak ka qenë një vendim i gjyqtarit të Administratives së Tiranës lidhur me një pallat pa leje, të sekuestruar në vitin 2022, për të cilin është vendosur kalimi në favor të shtetit.
Më 18 qershor, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara kishte vendosur kalimin e këtij objekti tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, godina e së cilës është dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Por gjyqtari Balliu e ka anuluar këtë vendim duke vendosur sigurim padie me kërkesë të pronarit, dhe i jep kohë atij 10 ditë të bëjë padi.
Rama sot ka publikuar pjesë nga vendimi i arsyetuar i gjyqtarit, ku vijon me sulmet dhe anatemimet, teksa nuk kursen as prokuroren Elsa Gjeli, me të cilën u përplas për ndërtimet në Theth.
“Më në fund gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.
Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurores Gjeli dhe të gjykatës Balliut; por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të Madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.
Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”, shkruan Rama.
Por cili është halli i Ramës? Vërtet Bablokut i dhimbsen punonjësit e ASHK që rrinë në një godinë të dëmtuar nga tërmeti? Në fakt duket se shënjestra e tij është diku larg. Babloku po vijon të forcojë themelet e autokracisë. Kushdo që i del kundër qeverisë sulmohet, shahet dhe anatemohet. Kjo shërben si mesazh për gjithë të tjerët që të mos guxojnë të marrin vendime kundër. E para ishte prokurorja Gjeli që rrëzoi shtetin për ndërtimet në Theth. Tani e ka radhën gjyqtari Balliu. Sinjalet janë se do të vijohet me këdo tjetër që guxon të zbatojë ligjin dhe të rrëzojë çdo makinacion të qeverisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje