
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, dhe drejtues politik i kësaj partie në qarkun e Fierit, për zgjedhjet e 11 majit, ka publikuar një video, sipas të cilës jepen sekuencat e manipulimit masiv të votave nga komisionerët socialistë.
Bardhi shprehet se kurrë në historinë e zgjedhjeve nuk ka ndodhur kontrolli masiv i votës dhe dhunimi brutal i fshehtësisë së saj, siç ka ndodhur në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier.
“Kurrë në historinë e zgjedhjeve nuk ka ndodhur kontrolli masiv i votës dhe dhunimi brutal i fshehtësisë së saj, siç ka ndodhur me urdhër kriminal të Belinda Ballukut në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier. Nuk iu mjafton vetëm qëndrimi mbi kokë ndërkohë që qytetarët votojnë në dhomën e fshehtë, por kontrollojnë fletët e votimit edhe pasi ato janë hedhur në kutinë e votimit.
Pamjet më poshtë i përkasin QV 2846, njësia administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, ku dallohet qartësisht komisioneri i PS që nxjerr fletën e votimit nga kutia, verifikon se si ka votuar qytetari dhe më pas e rihedh në kuti.
Dhunimi i fshehtësisë së votës përveçse një vepër penale që vijon të mbetet e pandëshkuar, është edhe akti më i shëmtuar që i kthen votimet në farsë, duke paracaktuar rezultatin e zgjedhjeve, përmes kontrollit masiv të votës me patronazhistë të shndërruar në terroristë elektoral”, thekson Bardhi.
Lini një Përgjigje