
Ish-deputeti Lefter Maliqi deklaroi se pas zgjedhjeve të fundit opozita po përgatitet për hapa të rinj politikë, duke paralajmëruar një sezon vjeshte të tensionuar.
Maliqi tha se strukturat e PD dhe aleatët e saj do të mblidhen në ditët në vijim për të vendosur strategjinë. Sipas tij, një nga opsionet e diskutuara është bojkotimi i parlamentit, por më e mundshme mbetet prania në Kuvend me një betejë të fortë politike.
“Mandatet duhet të pranohen, por jeta parlamentare nuk do të funksionojë normalisht. Komisionet do të bllokohen”, deklaroi Maliqi për News 24.
Një tjetër mundësi e paralajmëruar nga Maliqi është organizimi i protestave pa ndërprerje dhe madje edhe një grevë urie, duke e konsideruar këtë si mjetin kryesor të presionit ndaj qeverisë.
“Do të jetë një vjeshtë e nxehtë dhe kjo është e domosdoshme, sepse opozitarët kërkojnë shpresë dhe rikthim besimi”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Maliqi theksoi pritjen për një reagim nga faktori ndërkombëtar pas raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet, si dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ai nënvizoi se disa deputetë të PD tashmë kanë dërguar të dhëna mbi manipulimet zgjedhore në organizmat ndërkombëtarë.
Lini një Përgjigje