
Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka ashpërsuar tonet ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe djalit të tij, Shkëlzen Berishës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kokalari paralajmëroi se çdo pengesë ndaj kandidaturës së saj për drejtimin e Partisë Demokratike, do të ketë pasoja serioze. Ajo thekson se familja Berisha është në vëmendjen e institucioneve amerikane.
“Refuzimi, injorimi ose pengesat ndaj kandidaturës sime… do të vulosin përfundimisht dosjen e korrupsionit të Shkëlzen Berishës dhe Sali Berishës në DASH”, shkruan Kokalari në rrjetet sociale.
Kokalari akuzon familjen Berisha për dëmtim të demokracisë në vend.
“Çdo akt i ndërmarrë prej tyre kundër meje flet qartë për shkatërrimin që këta të dy i kanë bërë demokracisë në Shqipëri”, deklaroi ajo.
Ajo hodhi gjithashtu dyshime mbi ndikimin e mundshëm në SHBA, duke theksuar se çdo përpjekje për mbështetje nuk do të ketë efekt.
“Kushdo që ata mendojnë se kanë blerë në SHBA… nuk do të mund t’i ndihmojë dot”, tha Kokalari.
Sipas saj, marrëdhëniet janë përkeqësuar pas çështjeve që ajo i lidhi me vendime të mëparshme politike dhe ekonomike.
“Atë shans e humbën… kur sakrifikuan reputacionin tim për aferat dhe pazaret që duhej të bënin”, u shpreh Kokalari.
Ajo theksoi se nuk ka marrë ende një përgjigje nga familja Berisha për qëndrimet e saj.
“Sot është 6 Prilli dhe ende s’kam asnjë lloj përgjigjeje nga familja Berisha. Mos e ndërprit kurrë kundërshtarin kur është duke bërë një gabim”, përfundoi Kokalari.
Lini një Përgjigje