
Ekspertja për çështjet ndërkombëtare, Ilda Zhulali, ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën si paraqet procesin e integrimit europian, duke e cilësuar narrativën zyrtare si mashtruese dhe të shkëputur nga realiteti.
Ajo theksoi se raportet pozitive të Komisionit Europian nuk përkthehen automatikisht në përparim konkret për Shqipërinë. “Kjo nuk do të thotë që Shqipëria e ka kaluar klasën… sepse vendimi merret nga vendet anëtare”, u shpreh Zhulali.
Sipas saj, kjo nuk është hera e parë që qeveria krijon një perceptim të rremë për avancimin në negociata, duke kujtuar raste të mëparshme kur procesi ishte bllokuar pavarësisht deklaratave optimiste.
Zhulali argumentoi se vendet anëtare të BE-së vijojnë të kenë rezerva serioze ndaj Shqipërisë dhe kërkojnë rezultate konkrete, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. “Vendet anëtare thonë që ne nuk jemi të kënaqura me këto përgjigje”, deklaroi ajo.
Ajo përmendi edhe çështje konkrete që, sipas saj, ndikojnë në procesin e integrimit, duke theksuar se pa adresimin e tyre nuk mund të ketë progres real. “Derisa të ndodhë kjo, ato nuk do ta lejojnë që Shqipëria të bëjë asnjë hap përpara”, u shpreh Zhulali.
Ekspertja kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës nga qeveria për kushtet që duhet të përmbushen. “Këto janë manipulime të hapura dhe ne nuk duhet të biem pre e këtyre mashtrimeve publike”, tha ajo.
Në analizën e saj, ajo theksoi se procesi i integrimit është kompleks dhe kërkon prova konkrete dhe të qëndrueshme. “Vendet anëtare kërkojnë një ‘track record’… që këto çështje ndiqen me përparësi dhe shkojnë deri në fund”, deklaroi Zhulali për "Syri Tv".
Lini një Përgjigje