TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Prill 2026, 17:53

Rritja e çmimit të naftës, Alimehmeti: Nuk vendos tregu, por interesat e qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

Rritja e çmimit të naftës, Alimehmeti: Nuk vendos tregu, por

Rritja e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore nuk është vetëm pasojë e faktorëve ndërkombëtarë, por lidhet me probleme të brendshme të qeverisjes. Kështu u shpreh drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, i cili theksoi se situata aktuale është krijuar ndër vite.

Sipas tij, lufta në Ukrainë po përdoret si justifikim për të mbuluar dështimet e brendshme. “Lufta shkakton një pështjellim të gjërave, por kjo nuk i mjafton si justifikim qeverisë për rritjen e çmimeve”, deklaroi ai.

Alimehmeti theksoi se çmimi i naftës në Shqipëri ka qenë historikisht i lartë dhe nuk ndjek logjikën e tregut. “Naftën gjithmonë e kemi pasur më të shtrenjtë në të gjithë Europën. Edhe kur euroja është në rekordet historike… kurrë nafta nuk u ul”, u shpreh ai, duke shtuar se çmimet nuk u ulën as kur euro ra në nivele të ulëta. 

Ai argumentoi se tregu ndikohet nga interesa të ngushta dhe jo nga mekanizmat normalë ekonomikë. “Nuk ndjek normat e tregut… por interesat e një grushti personash”, deklaroi Alimehmeti.

Sipas tij, e njëjta situatë reflektohet edhe në çmimet e ushqimeve, të cilat lidhen me mungesën e prodhimit vendas dhe politikat e dobëta në bujqësi. “Nuk mund t’ia lësh fajin vetëm luftës pse rritet çmimi i perimeve”, u shpreh Alimehmeti.

Ai theksoi gjithashtu mungesën e mbështetjes për bujqësinë dhe pasojat e dëmeve natyrore të paadresuara. “Nëse nuk ke subvencione të vazhdueshme në bujqësi, nuk mund t’ia lësh fajin vetëm luftës”, tha Alimehmeti.

Në përfundim, ai e lidhi situatën me një problem më të gjerë të qeverisjes. “Çmimet janë të lidhura në radhë të parë me keqqeverisjen”, deklaroi Alimehmeti për "Syri Tv".

Lini një Përgjigje