
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të zhvillojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Bardhi e cilësoi këtë kërkesë si një të drejtë themelore dhe të panegociueshme, duke theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe për identitetin kombëtar.
Ai argumentoi se përdorimi i gjuhës shqipe nuk është vetëm çështje teknike, por lidhet drejtpërdrejt me të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë në rajon.
Në të njëjtën kohë, Bardhi i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të angazhohet institucionalisht për këtë çështje, duke kërkuar ndërhyrje pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për të shmangur, sipas tij, një kthim pas në standardet e të drejtave.
“Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet.
Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet. Shqipja nuk negociohet.
I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errta. Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, tha Bardhi në një postim në "Facebook".
Ku eshte Shteti Shqiptar dilni dhe mbroni vellezerit tane po Kerkojne nje te Drejte Themelore . Mos u beni servila te maqedonise Turp Turp . Shume e Rende Asnje deklarate nga Shteti Shqiptar ??