TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Prill 2026, 20:34

“S’jam kundër Ogertës”, Braçe kritika Ramës: Nuk mund të bësh takime në një zonë pa deputetin përkatës

Shkruar nga Pamfleti

“S’jam kundër Ogertës”, Braçe kritika

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi publikisht për mënyrën si po organizohet puna politike në terren, duke kritikuar zëvendësimin e deputetëve me drejtues administrativë. Braçe e cilësoi “të pamend” praktikën e largimit të deputetit nga zona që e ka votuar dhe zëvendësimin me atë që ai e quan “drejtorokraci”.

Ai gjithashtu foli edhe për mbledhjet e zhvilluara në Njësinë 5 në Tiranë, ku sipas tij, aktivitetet janë organizuar pa praninë e deputetit të zonës.

Braçe adresoi gjithashtu edhe një perceptim të ngritur së fundmi brenda strukturave të PS-së për qëndrimin e tij politik. Ai mohoi të jetë kundër  kandidatursë së Ogerta Manastirliut për Tiranën, por  theksoi se synon të ofrojë një alternativë për qytetin.

“Nuk jam kundër Ogertës; thjesht dua t’i jap PS-së dhe qytetit një alternativë tjetër”, shkruan ai.

Braçe shpalli ambicien për të qenë kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, në Asamblenë e PS në njësinë 5 në kryeqytet ku ai është një nga tre drejtuesit politik, së bashku me Taulant Ballën dhe Fatmir Xhafën.

"Java e mirë e pashkës dhe “hudhër” që nuk duhet! Ishte realisht një javë e mirë; mbyllet sot dhe dua t’i them disa fjalë: Shumë faleminderit edhe një herë për gjithë mesazhet, telefonatat, përkrahjen, mbështetjen, vlerësimet, gatishmërinë për të punuar bashkë. shumë faleminderit posaçërisht socialistëve të asambleve të ps, me të cilët u takova e shtrëngova duart këtë javë. ju jam shumë mirënjohës!

Faleminderit gjithashtu për urimet e ditës së lindjes, edhe pse kam kohë që kujtoj më shumë ngjarjet e jetuara sesa numrat! Urimet për pashkë i kemi bashkë dhe kjo javë, me bajramin që i parapriu dhe pashkën ortodokse që pason, është përshkrimi prej zotit i asaj që jemi ne në një dimension. kështu që, gëzuar kujtdo!

Tani “hudhër” e javës! Një histori e vjetër që përsëritet dhe më ndjek nga mbrapa, nga Lushnja e Divjaka; një histori deliri dhe e padenjë, tërësisht jo produktive, që kërkon të ndërtojë madhështi qesharake, gjithmonë duke më ndjekur pas.

Shikoni: Kjo mania për të shkulur deputetin nga zona – me arsyen se krijon lidhje njerëzore dhe mezi shkulet pastaj – është gabim. jo për deputetin, por për njerëzit! paqëndrueshmëria në marrëdhënie me ta është mungesë serioziteti dhe dëmton punën.

Politika është punë me njerëzit, marrëdhënie besimi që nuk vendoset me orë, as me ditë, por merr vite! po flas për deputetët që territorin e kanë punë, jo ofiq, as mburrje, as delegim për njerëz pa mandat, pa njohje, pa dije e pa ndikim kund.

Thënë kjo, të zëvendësosh deputetin e votuar nga njerëzit me “drejtorokracinë” është e pamend, sado elegant të jetë emri që i vëmë; tërësisht e pamend në raport me qëllimet që ke, veçanërisht kur delegon pushtet partiak tek ta për të kapërcyer deputetin; veçanërisht kur harron që një arsye pse punëtorët e partisë demotivohen është drejtorokracia e padurueshme. Në fund, kjo paranoja “Erionin e kemi kundër”, pasuar me këtë “markimin” që kurrë s’ju bë karburanteve – fjala bie – por njerëzve u bëhet, është qesharake, sinqerisht! Ua thashë edhe në asamblenë e #5sës: nuk jam kundër Ogertës; thjesht dua t’i jap PS-së dhe qytetit, që nuk po qeveriset e nuk shërbehet, një alternativë tjetër. Më thjesht se kaq nuk ka!", shkruan Braçe. 

braç rama

Lini një Përgjigje