
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkës, pas vizitës në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.
Në prononcimin për mediat, Berisha e cilësoi këtë ditë si më të rëndësishmen në historinë e qytetërimit perëndimor, duke theksuar rolin e saj në formësimin e vlerave njerëzore dhe morale.
“Besimtarëve katolikë shqiptarë dhe në mbarë botën, ju uroj gëzuar ngjalljen e Krishtit, ditën më të rëndësishme në historinë e qytetërimit perëndimor. Ringjallja e Krishtit shënon momentin më frymëzues për mbarë njerëzimin, pasi porositë e tij u shndërruan në parimet morale të njeriut të qytetëruar”, u shpreh ai.
Në vijim, kreu i PD shtoi se shpreson që festat e ardhshme të kremtohen në një realitet më të mirë për vendin.
“Le të urojmë që Pashkën tjetër ta kremtojmë më mirë dhe pa këtë të keqe të madhe që i ka rënë hise Shqipërisë këto vite”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje