Tre vite pas ndryshimeve ligjore, deklasifikimi pengohet nga procedura të reja dhe përplasje institucionale...
Pas daljes së të dhënave se presidenti i kohës Ilir Meta ishte i lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, PS dhe PD miratuan me bujë në vitet 2022 dhe 2023 disa ndryshime ligjore, me premtimin se do të hapeshin të gjitha dokumentet e Sigurimit dhe do të ekspozoheshin të gjithë funksionarët e lidhur me të.
Por edhe pse kanë kaluar tre vite, ende nuk ka një transparencë reale për publikun. Përkundrazi, të dhënat më të fundit tregojnë se procesi jo vetëm që nuk ka avancuar siç u premtua, por është përballur me pengesa serioze dhe në disa raste ka hyrë në ngërç.
Këtë e konfirmon edhe raporti i vitit 2025 i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), i cili evidenton qartë problematikat që kanë shoqëruar procesin e deklasifikimit gjatë vitit të fundit.
Ligjet e miratuara në 2022 dhe 2023 përcaktojnë deklasifikimin e të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën nga 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991 duhet të konsiderohen të deklasifikuara, me përjashtim të atyre që lidhen me sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet ndërkombëtare.
Megjithatë, në praktikë situata ka marrë një tjetër drejtim. Një vendim i Këshillit të Ministrave i miratuar në dhjetor 2024 ka sjellë një sërë ndërlikimesh në proces. Ky akt nënligjor parashikon procedura shtesë për rastet kur institucionet që kanë prodhuar dokumentet nuk ekzistojnë më, duke kërkuar përfshirjen e institucioneve të tjera apo përfaqësuesve të fushave të ngjashme në procesin e vlerësimit.
Sipas AIDSSH, kjo ka krijuar një zinxhir të ri burokratik, i cili ka ngadalësuar ndjeshëm procesin e deklasifikimit. Në shumë raste, për çdo dokument kërkohet edhe opinioni i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), çka sjell vonesa të konsiderueshme. Edhe pse jo çdo dokument përbën rrezik për sigurinë kombëtare, procedura e njëjtë aplikohet gjerësisht, duke e bërë procesin të gjatë dhe të ngadaltë.
Vetë Autoriteti pranon se kjo situatë ka sjellë bllokim të pjesshëm të deklasifikimit masiv, duke e detyruar institucionin të ndërmarrë hapa për rishikimin e akteve të brendshme dhe për të kërkuar ndërhyrje nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave. Në nëntor 2025, AIDSSH i është drejtuar Kuvendit për harmonizimin e ligjeve ekzistuese, ndërsa në shkurt 2026 ka kërkuar rishikimin e vendimit të qeverisë që ka krijuar pengesat. Por duket se qeveria e ka bllokuar procesin.
Ndërkohë, një tjetër pjesë e raportit lidhet me procesin e verifikimit të figurave, i cili ka vijuar paralelisht. Gjatë vitit 2025 janë paraqitur 128 kërkesa për verifikimin e 253 kandidatëve për poste publike apo funksione të ndryshme. Nga këta, janë verifikuar 242 persona dhe vetëm për 15 prej tyre rezultojnë të dhëna në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si bashkëpunëtorë apo të përfshirë në procese të kohës.
Në total, janë shqyrtuar mbi 22 mijë faqe dokumentesh arkivore, çka tregon për një volum të madh pune nga ana e institucionit. Megjithatë, ky proces mbetet i kufizuar në funksion të verifikimeve institucionale dhe nuk përkthehet në një hapje të gjerë dhe transparente të dosjeve për publikun.
Në këtë kontekst, premtimi i bërë për hapjen e plotë të dosjeve dhe përballjen me të kaluarën mbetet ende i parealizuar. Përplasjet ligjore, procedurat e ndërlikuara dhe mungesa e një koordinimi të qartë institucional kanë bërë që një nga proceset më të rëndësishme për transparencën historike të vendit të mbetet në vendnumëro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje