
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha se programi i rindërtimit u kthye në një minierë floriri për qeverinë, ndërsa familjet e prekura u lanë peng i premtimeve të pambajtura.
Pas 6 vitesh nga tragjedia e tërmetit, Tabaku theksoi se ajo që duhej të ishte një periudhë e përbashkët rimëkëmbjeje, fatkeqësisht u kthye në një oportunitet abuzimi për qeverinë socialiste.
“Ndërsa komuniteti ndërkombëtar u mobilizua me grante dhe kredi të buta, qeveria premtoi zgjidhje të shpejta dhe rindërtim brenda pak vitesh. Sot, bilanci është tronditës: kosto të fryra mbi 1.3 miliardë euro dhe mijëra familje ende pa një banesë të përfunduar”, tha Tabaku.
Sipas saj, qeveria zgjodhi të thyente rregullin bazë të financave publike: u hodh në tenderime pa fonde në buxhet, duke fshehur kostot reale dhe duke i rritur ato artificialisht ditë pas dite.
“Rezultati ishte absurd: një shkollë e ndërtuar me fondet e BE ka kushtuar rreth 600 mijë euro, ndërsa e njëjta shkollë, e ndërtuar me buxhetin e shtetit, kushtonte 2.2 milionë euro sipas Bashkisë Tiranë.
Për muaj me radhë, qeveria mohoi krizën në financat publike derisa u detyrua të pranojë atë që shqiptarët e ndjenë në përditshmëri: 1.3 miliardë euro barrë në buxhet për ndërtime ende të papërfunduara.
Vitet kalojnë, kostoja rritet, dhe mijëra njerëz mbeten ende të pastrehë, ndërsa premtimi i rindërtimit vazhdon të përdoret si refren elektoral i dështimit.
Përse qeveria preferoi të paguante me 1.3 miliardë euro taksat e shqiptarëve dhe jo me fondet e BE? Për një arsye të thjeshtë: fondet e BE janë më ekonomike, më transparente dhe nuk lejojnë abuzime.
Qeveria zgjodhi eurobondet më të shtrenjta, duke i ngarkuar shqiptarët me interesa të larta dhe borxh afatgjatë.
Tërmeti i vitit 2019 u kthye në një mundësi për të pasuruar pakicën në pushtet, ndërsa shumica e qytetarëve paguan faturën”, u shpreh deputetja.
Lini një Përgjigje