Analisti i njohur amerikan paralajmëron se modeli i Recep Tayyip Erdoganit për goditjen e opozitës po përhapet në rajon dhe se heshtja e Uashingtonit po inkurajon liderët me prirje autoritare... mes tyre edhe Edi Rama
Analisti amerikan Michael Rubin, ekspert i Forumit për Lindjen e Mesme (Middle East Forum) dhe ish-zyrtar i Pentagonit, ka përmendur Shqipërinë gjatë një dëshmie në Komisionin “Tom Lantos” për të Drejtat e Njeriut në Kongresin e SHBA-së, ku foli për përkeqësimin e demokracisë në Turqi dhe ndikimin që, sipas tij, po ka modeli politik i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në vende të tjera të rajonit.
Në dëshminë e tij, Rubin argumentoi se Erdogani ka krijuar një mekanizëm për eliminimin e rivalëve politikë përmes sistemit të drejtësisë dhe se kjo praktikë po shërben si shembull edhe për liderë të tjerë.
“Fakti që Erdogani ia doli të kryejë tre prerje politike të kokave të kundërshtarëve krijon një manual që liderë të tjerë tashmë po e përqafojnë. Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tani arreston kundërshtarët politikë, ndërsa gjykatat shqiptare argumentojnë se qëndrojnë mbi Kushtetutën kur bëhet fjalë për paraburgimin”, deklaroi Rubin para ligjvënësve amerikanë.
Sipas tij, mungesa e reagimit nga Uashingtoni ndaj rasteve të tilla po krijon një precedent të rrezikshëm.
“Heshtja e Uashingtonit u sinjalizon diktatorëve të mundshëm se mund të veprojnë sipas ambicieve të tyre. Mungesa e llogaridhënies demokratike ka rëndësi dhe, nëse lihet pa u adresuar, krijon një spirale vdekjeje për të drejtat e njeriut”, tha ai.
Komentet për Shqipërinë u bënë në kuadër të një analize më të gjerë mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi, të cilën Rubin e përshkroi si një nga periudhat më represive në historinë moderne të vendit.
Sipas tij, presidenti Recep Tayyip Erdogan ka përdorur sistemin gjyqësor për të neutralizuar kundërshtarët e tij më të fortë politikë, duke nisur me liderin pro-kurd Selahattin Demirtash, më pas me kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu dhe së fundmi me kreun e Partisë Popullore Republikane (CHP), Ozgur Ozel.
Rubin argumentoi se reagimet e dobëta të Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre rasteve kanë forcuar bindjen e Erdoganit se mund të veprojë pa pasoja.
“Erdogani beson se mund të veprojë me pandëshkueshmëri në shkeljen e të drejtave të njeriut, korrupsion, mbështetje të terrorizmit dhe konsolidimin e kontrollit politik”, tha ai.
Analisti amerikan kritikoi gjithashtu administratën amerikane dhe veçanërisht ambasadorin amerikan në Ankara, Tom Barrack, për atë që e cilësoi si një qasje tepër tolerante ndaj presidentit turk.
Sipas Rubin, situata në Turqi nuk përbën më vetëm një problem të brendshëm, por një sfidë për stabilitetin rajonal, interesat strategjike të Perëndimit dhe vetë demokracinë në rajon.
Dëshmia e tij u mbajt në seancën e Komisionit “Tom Lantos” me temë: “A mund ta gjejë Turqia rrugën e saj drejt lirisë?”, ku u diskutuan zhvillimet politike, të drejtat e njeriut dhe e ardhmja demokratike e Turqisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje