Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për atë që e cilësoi si një ndryshim të shpejtë të qëndrimit lidhur me protestat kundër investimit strategjik në Zvërnec.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla deklaroi se Berisha ka mbajtur qëndrime kontradiktore brenda pak ditësh, duke kaluar nga pretendimi se protestat organizoheshin nga kryeministri Edi Rama për të larguar investitorët, në mbështetjen e hapur të tyre.
“E paimagjinueshme sesi mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar, brenda 72 orëve. Erdhi këtu dhe tha që mbështes protestën, ndërkohë që vetë doli dhe tha se protestën e organizon Rama sepse do të përzërë investitorët”, u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.
Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit të liderit demokrat mund të jetë ndikuar nga protestuesit që një ditë më parë u mblodhën para selisë së Partisë Demokratike. Megjithatë, deputeti socialist dënoi organizimin e protestave pranë selive të partive politike, duke paralajmëruar se situata të tilla mund të krijojnë tensione mes mbështetësve të forcave politike.
Gjatë fjalës së tij, Balla mbrojti investimin e parashikuar në Zvërnec, duke theksuar se investitorët nga Katari kanë blerë tokën përmes një transaksioni privat dhe se shteti shqiptar ka detyrime ligjore për garantimin e investimeve strategjike.
Balla përsëriti gjithashtu pretendimin e tij se protestat kundër projektit po mbështeten nga qarqe të interesuara për të dëmtuar imazhin e turizmit shqiptar dhe për të penguar investimet në vend. Ai përmendi edhe publikime në media dhe faqe interneti të huaja, të cilat sipas tij kanë tentuar të paraqesin një realitet të shtrembëruar mbi situatën në Shqipëri.
“Unë e dënoj. Kush është pas atyre që sjellin protestues në selitë e partive, nuk ua do të mirën partive. Kushdo që çoi protestues mbrëmë te selia e PD dhe më parë te selia e PS, është gabim. Sepse aty mund të ndodhen militantë të partisë tjetër dhe kjo mund të çojë në përplasje mes qytetarëve. Investitorët nga Katari kanë paguar 225 milionë dollarë dhe kanë blerë tokën. Shteti është garant sipas ligjit për investimet strategjike. Nuk pranoj që të më thonë se Narta është tokë e një komuniteti pakice kombëtare. Narta është tokë shqiptare autoktone. Aty ka pasur një popullatë që fliste një dialekt të gjuhës greke, që quhej Nartçe”, deklaroi Balla në Kuvend.
Lini një Përgjigje