Presidenti Bajram Begaj ka pritur në zyrë homologun e tij lituanez, Gitanas Nauseda, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Në fokus të takimit ishte mbështetja për Kosovën dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në deklaratën e përbashkët për mediat, Presidenti Begaj falënderoi Lituaninë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm në këtë fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Europian.
“Shqipëria dhe Lituania gëzojnë marrëdhënie shumë të mira, të bazuara në besim reciprok, respekt të ndërsjellë dhe vlera Euroatlantike. Sot rikonfirmuam angazhimin tonë për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit tone në fusha me interes reciprok.”, tha Begaj.
Presidenti theksoi se Shqipëria ndodhet në një etapë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit dhe se do të vijojë zbatimin e reformave të nevojshme për të arritur objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në BE. Ai shprehu gjithashtu bindjen se politika e zgjerimit do të mbetet prioritet edhe gjatë Presidencës lituaneze të Këshillit të Bashkimit Europian në gjysmën e parë të vitit 2027.
"Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Lituania i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vlerësojmë mbështetjen e Lituanisë në një moment kaq të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit. Jemi të bindur se edhe gjatë Presidencës lituaneze të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2027, zgjerimi do të mbetet një prioritet i rëndësishëm në agjendën evropiane. Shqipëria do të vazhdojë me vendosmëri reformat e nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian", tha Begaj.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj kërkoi që Lituania të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në organizatat ndërkombëtare dhe në proceset integruese.
“Në këtë kontekst, ritheksova rëndësinë e integrimit Euroatlantik të Kosovës. Falënderova mikun tim, Presidentin Nauseda, për mbështetjen që Lituania i ka dhënë Kosovës dhe kontributin e saj me trupa në KFOR, votës pro anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës dhe i kërkova që kjo mbështetje të vijojë edhe në të ardhmen”, deklaroi ai.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Presidenti Begaj nënvizoi se ekzistojnë mundësi të konsiderueshme për investime dhe projekte të përbashkëta në sektorët e teknologjisë, digjitalizimit, energjisë, turizmit, bujqësisë dhe inovacionit.
Ai veçoi edhe rritjen e numrit të turistëve lituanezë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik, duke e konsideruar këtë një tregues të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Si vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Lituania ndajnë qëndrime të përbashkëta edhe në çështjet e sigurisë. Begaj vlerësoi kontributin e Lituanisë në mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës dhe ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën, sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Ne besojmë se një Evropë e sigurt dhe e qëndrueshme kërkon një përgjigje të bashkuar ndaj çdo kërcënimi ndaj vlerave demokratike”, tha Presidenti.




Shume mire Eurva, nja 10 shtete sllave jane, fusni ne BE Ukrainen, me pas Rusine e pastaj u jepni antaresi Serbise, Malit te Zi e Maqedonise. Keshtu me pas sllavet do na hyjne me shkelma e do na flakin ne Atlantic.