TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Qershor 2026, 14:40

Balla përplaset me Shehajn në Kuvend: Gjobaxhi, bëre protestë dhe nuk mblodhe as 30 vetë

Shkruar nga Pamfleti
Balla përplaset me Shehajn në Kuvend: Gjobaxhi, bëre
Balla-Shehaj

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, janë përplasur ashpër në seancën plenare, teksa në fokus të debatit ishte protesta për çështjen e Zvërnecit.

Shehaj akuzoi mazhorancën se po bashkëpunon me Sali Berishën për të devijuar vëmendjen nga protestat qytetare. Sipas tij, qeveria po përpiqet të krijojë një debat artificial, ndërsa qytetarët kanë dalë në shesh kundër abuzimeve.

“Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në shesh. Ju jeni bashkë me oligarkët natën dhe ditën vini këtu dhe bëni teatrin. Teatrin tuaj nuk e beson më njeri, ju ka dalë boja. Nuk e bëni dot pazarin me ata. Tani jeni bashkë me Saliun, jeni në një mendje. E tentuan teatrin me Saliun sot, por nuk ju ngjit më. Si do ja bëni pa gogolin tani Taulant? Ju duhet një tjetër dhe keni gjetur grekët, rusët e kështu me radhë. Ka mbaruar Taulant, ju duhet zgjidhje, qytetarët e kanë kuptuar që vidhen”, tha Shehaj.

Në përgjigje, Balla tha se Shehaj nuk mund të flasë në emër të protestuesve, duke theksuar se protesta është e qytetarëve dhe jo e partive politike.

“Po jam shumë i sigurt se ti, kur e ke provuar, ti nuk ke mbetur 30 veta. Thirre ti një protestë dhe po i mblodhe ti vetë 30 veta! Vjen këtu ti na flet në emër të protestuesve. Tani, se ta marrim vesh kush është pronari i protestës, del ti të thuash: “Unë jam pronari i protestës”. Del Tik Llapa, thotë: “Jam unë pronari i protestës”. Del Arlind SyMadhi, thotë: “Jam unë pronari i protestës”. Tani ta marrim vesh kush është? Protesta është e njerëzve. Aty ka plot djem e vajza të cilët disa protestojnë për pelikanët, shumë e drejtë. Disa protestojnë për çështje tjetër, shumë e drejtë. Ti çfarë dreqin ke? Ti je një hajdut. Ti je një hajdut. Ti je një gjobaxhi që i vihesh bizneseve nga mbrapa dhe i thua bizneseve: “Nuk ta përmend emrin, po më bjer kaq lekë”. I thua televizioneve, i thua ti, ti, ti gjobaxhi, gjobaxhi. I thua televizioneve: “Pse nuk më nxirrni mua në televizor?”. Ti je gjobaxhi. Kaq kam me ty unë”, u shpreh Balla.

 

balla shehaj gjobaxhi

Lini një Përgjigje