Pas tre vitesh pa ambasador amerikan në Shqipëri, kandidatura e gjeneralit në pension Eric Wendt hyn në fazën vendimtare. Ardhja e tij pritet të rikthejë peshën diplomatike të SHBA në politikën shqiptare…
Pas afro tre vitesh pa një ambasador të plotfuqishëm amerikan në Tiranë, Senati i Shteteve të Bashkuara pritet të hedhë sot një tjetër hap drejt konfirmimit të Eric Wendt në krye të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri.
Kandidatura e gjeneral-lejtnantit në pension, e propozuar nga Presidenti Donald Trump, do të shqyrtohet në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, në atë që konsiderohet hallka e fundit procedurale përpara votimit përfundimtar në Senat.
Nëse kandidatura e tij miratohet, Wendt do të bëhet ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor të vitit 2023. Që prej asaj kohe, ambasada është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa emërimet e mëvonshme nuk arritën të finalizoheshin.
Mungesa e një ambasadori të plotfuqishëm për një periudhë kaq të gjatë është konsideruar nga shumë vëzhgues si një periudhë ku ndikimi i drejtpërdrejtë diplomatik amerikan në politikën shqiptare ka qenë më i kufizuar. Në këtë kontekst, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak dhe eksperiencë në strukturat e NATO-s shihet si një sinjal se Uashingtoni synon të rrisë angazhimin e tij në Shqipëri.
Gjatë seancës dëgjimore të 20 majit, Wendt e vendosi theksin te mbështetja për SPAK-un, lufta kundër korrupsionit dhe goditja e krimit të organizuar. Ai vlerësoi institucionin e Prokurorisë së Posaçme si të pavarur dhe apolitik, duke premtuar mbështetje për ruajtjen e këtij statusi.
Sipas tij, bashkëpunimi mes SPAK-ut dhe agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, DEA-n dhe Departamentin e Drejtësisë, ka dhënë rezultate konkrete në hetimet ndërkombëtare kundër grupeve kriminale.
Profili i Wendt e dallon atë nga shumica e diplomatëve tradicionalë. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vite në ushtrinë amerikane, përfshirë mbi tri dekada në forcat speciale “Green Beret”, ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s. Karriera e tij përfshin misione në Irak, Afganistan, Filipine, Kore dhe Lindjen e Mesme.
Megjithëse mbetet për t’u parë se cili do të jetë roli konkret i ambasadorit të ri në raport me zhvillimet politike në vend, pritshmëritë janë që rikthimi i një ambasadori të plotfuqishëm amerikan të sjellë një prani më aktive të SHBA-së në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat institucionale.
Për shumë aktorë politikë në Tiranë, ardhja e ambasadorit të ri mund të shënojë fundin e një periudhe relativisht të qetë në marrëdhëniet me diplomacinë amerikane dhe rikthimin e një vëmendjeje më të madhe nga Uashingtoni ndaj zhvillimeve politike dhe institucionale në Shqipëri. /Pamfleti
Tri vite kryeministri ynë pa zinxhirë në qafë dhe po la namë me të bërat e të pëgërat e tij brenda e jashtë Shqipëtisë.