TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Maj 2026, 09:51

Integrimi në BE, Rama: Shqipëria në fazën e fundit

Shkruar nga Pamfleti
Integrimi në BE, Rama: Shqipëria në fazën e fundit
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama u ndal këtë javë te disa prej zhvillimeve që ai i konsideroi vendimtare për perspektivën europiane të Shqipërisë, duke veçuar hapjen e fazës së mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, si dhe proceset që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe transformimin digjital të administratës.

Gjatë podkastit “Flasim”, Rama tha se Shqipëria ka hyrë në një etapë të re të procesit të integrimit europian.

“Javën që lamë pas, pikërisht më 26 maj, si për një ironi apo buzëqeshje të fatit, 30 vjet pas 26 majit të dhunës, të përgjakjes së opozitës, të grabitjes së votave dhe të vulosjes së një sundimi autokratik me tipare diktatoriale në Shqipëri, erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian, duke mbyllur fazën e çeljes së kapitujve të negociatave dhe duke hapur fazën e mbylljes së tyre”, u shpreh ai.

Sipas kreut të qeverisë, ky zhvillim përfaqëson pikën më të avancuar që ka arritur ndonjëherë Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Pra, më 26 maj, Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë në këtë të përpjetë të mundimshme historike dhe tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian sot, por për atë që ishte hapësira e diellit që lind andej nga perëndon deri dje, është më afër se asnjëherë”, tha Rama.

Ai e cilësoi hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve si rezultat të reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit dhe si një provë të progresit institucional të vendit.

“Është një moment jashtëzakonisht kuptimplotë i kësaj rruge drejt anëtarësimit dhe është, në të njëjtën kohë, edhe një certifikim absolut i një pune të palodhur të një kohe të gjatë. Është një moment që sigurisht vjen me shumë satisfaksion, por njëkohësisht vjen edhe me shumë përgjegjësi, pasi ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave dhe kjo nuk është një datë në kalendarin e integrimit, por është një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se vlerësimi i institucioneve europiane lidhet me rezultatet e arritura në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

“Është domethënëse që Bashkimi Europian konfirmon faktin e përmbushjes së suksesshme të të gjitha detyrave të deritanishme, pikërisht në ato fusha që lidhen me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe me funksionimin e institucioneve demokratike”, tha ai.

Sipas Ramës, faza e ardhshme e procesit do të jetë më sfiduese, ndërsa objektivi i qeverisë mbetet mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.

“Dhe sa një arsye për të qenë krenarë, aq edhe një arsye për të ndjerë të gjithë peshën e përgjegjësisë në këtë fazë të fundit, e cila nuk është më e lehta, por është më e vështira, për të cilën kemi një kalendar të dakordësuar me Komisionin Europian, që të arrijmë me sukses mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh ai.

Në fund, kreu i qeverisë përsëriti objektivin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda këtij dhjetëvjeçari.

“Kemi një hapësirë të ndërmjetme në vitin 2028 dhe kemi objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030”, tha Rama.

integrimi në be

1 Komente

  1. t
    tresi

    Mashtrues ordiner. As Zaho nuk te beson ti. I korruptuar deri ne fyt, premton fytyra jote.

    Lini një Përgjigje