Forumi Shqiptar, projekti i ri që synon të fuqizojë përfaqësimin e shqiptarëve
Një zhvillim historik për skenën politike shqiptare në Mal të Zi u zyrtarizua këtë të shtunë në Tuz, ku tre subjekte politike shqiptare vendosën të bashkohen në një forcë të vetme politike, Forumin Shqiptar.
Demokratski savez Albanaca (DSA), Alternativa Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar formalizuan bashkimin e tyre në një subjekt të vetëm, duke synuar forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe krijimin e një platforme të përbashkët për të ardhmen.
Marrëveshja e bashkimit u nënshkrua gjatë një mbledhjeje solemne të organeve drejtuese të partive në Tuz nga Nik Gjeloshaj, Ferhat Dinosha dhe Ivan Ivanaj. Deri në mbajtjen e kuvendit të përgjithshëm të Forumit Shqiptar, drejtimi i subjektit do të ushtrohet nga Nik Gjeloshaj.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëherazi lider i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, e cilësoi bashkimin si një moment të ri për politikën shqiptare.
“Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë. Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi. Megjithatë, kemi parë nevojën që të shkojmë një hap më tej dhe të ndërtojmë një subjekt të vetëm politik, jo vetëm për sot, por edhe për gjeneratat e ardhshme, si një garanci për unitetin shqiptar”, deklaroi Gjeloshaj.
Sipas tij, Forumi Shqiptar është tashmë e vetmja forcë politike shqiptare që përfaqëson shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetojnë në Mal të Zi.
“Ky është subjekti i vetëm politik shqiptar në Mal të Zi që përfaqëson shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetojnë, pasi ne jemi të pranishëm në disa komuna dhe jemi adresa e parë politike e shqiptarëve. Përgjegjësia jonë politike dhe vullneti i drejtuesve ishte që të krijonim një subjekt të fortë politik shqiptar për të ardhmen, në mënyrë që shqiptarët në Mal të Zi të përfaqësohen edhe më mirë”, u shpreh ai.
Gjeloshaj e shfrytëzoi këtë moment edhe për të përcjellë një mesazh më të gjerë për bashkimin politik të shqiptarëve kudo që jetojnë.
“Absolutisht. Ne si shqiptarë, kudo që jemi, shpesh na vjen ndër mend ajo fjala se nuk jemi unikë dhe nuk jemi të bashkuar. Por ne kemi vendosur të dëshmojmë të kundërtën. Kemi nisur në Tuz dhe po përcjellim një mesazh për të gjithë shqiptarët: asnjë proces nuk mund të bëhet vetëm. Pa unitet, pa unifikim dhe pa strategji të përbashkët, është shumë më e vështirë të realizohen objektivat”, tha ai.
Bashkimi i tri partive shqiptare shihet si një moment i rëndësishëm politik jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe si një model i ri bashkëpunimi në hapësirën shqiptare, duke synuar një përfaqësim më të fortë institucional dhe një zë më të unifikuar në proceset vendimmarrëse.
A do ti rezistojne dot joshjeve dhe presioneve te qeverise dhe subjekteve politike malazeze?
Deshira e gjith shqiptarve. Komplimente!
Bravo ju qoftë. Qofshi shembull për të tjerat. Ju ĺumtë.
Bashkimi dhe bashkpunimi te thellohet. Urime.
Good sign, Albanians are making their mind up, that togetherness is people’s power. Well done Albanians of Malcis.
Urime te bashkuar fitojme Malesia dujet te jet bashke e te baashkohet me shqiperine ska Mal.te zi