Ish-deputeti demokrat akuzon kreun e PD-së për përjashtim të mendimit ndryshe dhe thotë se partia nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili u shpreh se kushdo demokrat që frekuenton takimet e Salianjit “i ka hesapet e mbyllura me PD-në”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi deklaratën e Berishës si dëshmi të mungesës së demokracisë brenda Partisë Demokratike, duke e akuzuar atë për përjashtim të mendimit ndryshe dhe për mungesë gare të brendshme.
“Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese. Për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën. Problemi sot është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës. Kjo është arsyeja pse çdo zë ndryshe konsiderohet kërcënim dhe jo kontribut për Partinë Demokratike”, shkruan Salianji.
Duke iu referuar drejtpërdrejt deklaratës së Berishës, ai thekson se problemi kryesor i PD-së nuk lidhet me mbështetjen elektorale, por me mënyrën sesi funksionon partia.
“Deklarata e Sali Berishës se ‘kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD’ është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbështetje nuk pati guxim të përballeshim në garë. Kur shmanget gara dhe mbyllet debati, partia humbet aftësinë për t’u rinovuar dhe për t’u bërë alternativë fituese për qytetarët”, shprehet ai.
Salianji shton se një forcë politike nuk mund të ndërtohet mbi besnikërinë ndaj individëve, por mbi parimet demokratike dhe konkurrencën e lirë.
“Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë. Demokratët meritojnë një parti të hapur, ku vlerësohen kontributet dhe jo bindja e verbër ndaj një personi”, vijon reagimi.
Në fund, ish-deputeti demokrat bën thirrje për bashkim të demokratëve dhe jo për ndarje brenda partisë.
“Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan. PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do t’i shmangemi deri në fund. Vetëm përmes bashkimit dhe respektimit të mendimit ndryshe mund të ndërtohet një alternativë e besueshme për qeverisjen e vendit”, përfundon Salianji.
Lini një Përgjigje