Reagimi vjen pasi kreu i demokratëve deklaroi se kushdo që i bashkohet Ervin Salianjit “i mbyll hesapet me PD-në”.
Ish-kreu i degës së Partisë Demokratike në Kavajë, Hysen Kadiu, i është përgjigjur Sali Berishës pas deklaratave të këtij të fundit ndaj mbështetësve të Ervin Salianjit.
Kadiu reagoi në rrjetet sociale pasi Berisha u shpreh se çdo person që ndjek Salianjin konsiderohet se ka shkëputur lidhjet me Partinë Demokratike.
“Nuk më ka futur Salianji në PD, o doktor… dhe nuk më përjashton dot as ti!”, shkruan Kadiu në reagimin e tij.
Deklarata e Kadiut vjen pasi, sipas qëndrimeve të shprehura nga Berisha, edhe ai mund të jetë në mesin e figurave që rrezikojnë përjashtimin nga PD-ja për shkak të pjesëmarrjes në takimin e zhvilluar një ditë më parë nga Ervin Salianji.
“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Nuk janë kritika ato. Ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha.
Përplasja mes palëve vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme brenda PD-së, ku debatet mbi drejtimin e partisë dhe qëndrimet ndaj figurave kritike kanë nxitur reagime të forta në radhët e demokratëve.
Lini një Përgjigje