
I kallëzuar për fshehje pasurie, deputeti i Partisë Demokratike është thirrur mesditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pasi ka dhënë dëshminë e tij për rreth 1 orë, Luan Baçi ka thënë se çështja për të cilën është kallëzuar është pushuar më herët, por SPAK e ka hapur sërish.Baçi ka pretenduar se kallëzimi është i rremë vetëm për të bërë lajm, por megjithatë ka shtuar se është paraqitur për të dëshmuar.
Baçi është paraqitur i vetëm, pa shoqërimin e një avokati dhe në një deklaratë për mediat, ka pranuar se ka marrë përsëri të njëjtin kallëzim, por nuk ka rezultuar asnjë shkelje nga ana e tij.
“I bëj thirrje qeverisë për të vënë në funksion zyra të reja për punonjësit e BKH sepse janë 7-8 punonjës në një zyrë të vogël dhe punojnë në kushte jo të mira.
Jam në cilësinë e një deklaruesi pasi një patronazhist vit pas vit bën të njëjtin kallëzim. Unë përsëri ju përgjigja ftesës. Ka qene një kallëzim dhe është pushuar si çështje. Është hetuar pasuria ime ‘fije e për pe’ dhe unë hyjë tek ata njerëz që jam transparent. Unë jam shumë i qetë dhe është mbyllur si çështje”, tha Baçi për mediat.
Në shkurt 2024 ndaj Luan Baçit u bë një kallëzim në SPAK për fshehje të ardhurash dhe pastrim parash nga Aredin Beberi, i cili ka vënë në dispozicion dhe dokumente sipas të cilit ai i ka kaluar Baçit shuma parash që ky i fundit nuk i ka deklaruar në deklarimin e tij të pasurisë por i ka fshehur.
Sipas gazetarit Ermal Vija, kallëzuesi nga Fieri pretendon se deputeti demokrat ka fshehur pasurinë e tij, një shumë prej 800 mijë eurosh, më konkretisht një kompleks apartamentesh në qytetin e Vlorës, vlerën e të cilin Baçi nuk ka bërë deklarim.
Lini një Përgjigje