TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Nëntor 2024, 14:02

Dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska, KED nis mbledhjen me shkelje flagrante të Kushtetutës

Shkruar nga Pamfleti
Dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska, KED nis mbledhjen me shkelje flagrante
Gjykata Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po shkel në mënyrë të hapur Kushtetutën, pasi, në kundërshtim flagrant me kompetencat e tij ligjore, ka vendosur të diskutojë mbi një vendimmarrje të Parlamentit për shpalljen e procedurave për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska.

Në mbledhjen e parashikuar për ditën e sotme, në orën 14.00, Këshilli ka vendosur në rend dite “Diskutim lidhur me njoftimin e Kuvendit që ka të bëjë me përcaktimin kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese”.

Në 30 Shtator 2024, Kuvendi shpalli thirrjen për aplikim për plotësimin e vakancës së plotë, të krijuar pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska. Në njoftimin e Kuvendit thuhej se mandati i Toskës duhej të përfundonte në nëntor të vitit 2028.


Por, ky përcaktim afati kohor ka krijuar premisat për diskutimin e rastit në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ky vendim i KED-it përbën shkelje flagrante të Kushtetutës dhe një uzurpim që KED-i po i merr kompetencave të Parlamentit.

Ligji Themeltar i Shtetit parashikon që procedurat për thirrjen për aplikimet për kandidatë për në Gjykatën Kushtetues u takojnë tre institucioneve të tjera-Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka detyrë që “të vlerësojë cilësinë profesionale dhe morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese…dhe t’i rendisë ata sipas meritës”. Ky detyrim është i parashikuar në nenin 149/d të Kushtetutës.

Më tej, ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenet 228 e vijues, parashikon procedurat e detajuara mbi veprimtarinë e KED-it, që nga marrja e listës së kandidatëve për në Gjykatë Kushtetuese nga tre institucionet e emërtesës, shorti për relatorin, detyrat e relatorit për verifikimin e pasurisë, integritetit personal dhe aftësive profesionale e deri tek vendimi për lejimin ose ndalimin e kandidimit të aplikantëve për të vijuar më tej procedurat garuese.

Në asnjë nen të Kushtetutës apo të kuadrit ligjor përkatës nuk është parashikuar që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të ketë të drejtën të diskutojë vendimmarrjen e institucioneve të emërtesës (President, Parlament dhe Gjykatë e Lartë) për listën e kandidatëve që i dorëzohen.

Gjithashtu, KED-i nuk ka asnjë lloj tagri kushtetues dhe ligjor që të shpreh qëndrime apo opinione për procedurat e ndjekura nga institucionet e tjera.

Dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska, KED nis mbledhjen me shkelje flagrante

Reforma në Drejtësi, të paktën në këtë pikë, është munduar që të ndajë dhe balancojë në mënyrë të saktë dhe të plotë kompetencat e institucioneve të përfshira në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë kanë të drejtën, por edhe detyrimin ligjor, që të shpallin vakancat dhe thirrjet për aplikim, bazuar në procedurat që atyre u njeh Kushtetuta dhe ligji.

Ndërsa KED-i ka detyrimin që të verifikojë cilësitë personale e profesionale të kandidaturave dhe të kryejë vlerësimin e tyre.

Por, në mbledhjen e kësaj dite të Premte, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka njohur dhe dhënë vetes të drejta dhe përgjegjësi që as nuk i ka dhe as nuk i takojnë.

Kjo situatë rikthen në vëmendje një përplasje të fortë të disa viteve më parë, kur KED-i, në atë kohë i drejtuar nga Ardian Dvorani, tentoi të uzurponte kompetencat e Presidentit të Republikës për vakancat në Gjykatë Kushtetuese.

Në atë rast, rasti u paraqit para Komisionit të Venecias, i cili konstatoi shkeljet e rënda të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe përcaktoi qartë se KED-i nuk mund të cënojë në asnjë mënyrë apo formë kompetencat e institucioneve të tjera të emërtesës.

ked

Lini një Përgjigje