Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur disi në mënyrë të pazakontë. Në tavolinën ku qëndron Taulant Balla është vendosur një gardist.
Për këtë, Flamur Noka ka reaguar duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit për arsyen se përse gardisti po qëndron i vendosur tek tavolina e Ballës, gjatë kohës kur seanca vijonte punën.
Masa mbrojtëse ndaj kreut të grupit parlamentar të PS vjen pas përplasjes fizike në Kuvend mes tij dhe demokratëve Gazment Bardhi e Klevis Balliu, pas fjalëve të Ballës për Albana Vokshin, “për ty kemi numrin 0900”.
Pas incidentit, Bardhi e Balliu u përjashtuan me 10 ditë nga punimet e Kuvendit prej ‘Etikës’, ndërsa për Ballën nuk u miratua ankimimi i PD për përjashtim.
Ndërsa jashtë ambienteve të Parlamentit opozita po vijon njëkohësisht protestë.
Nga ana tjetër Partia Demokratike i ka rekomanduar deputetëve që të votojnë pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Relatori i demokratëve Oerd Bylykbashi theksoi se deputetët duhet të japin autorizimin për masën e sigurisë ndaj zonjës Balluku në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku ajo dyshohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
“Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, e shoqëruar me relacionin dhe provat përkatëse, është shqyrtuar nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjet e datave 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026. Pesë anëtarë të pakicës parlamentare, pas analizimit të çështjes, rekomanduan që deputetët të votojnë pro dhënies së autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurisë aktuale me ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike të deputetes Balluku”, deklaroi Bylykbashi.
Lini një Përgjigje