TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2024, 15:43

Fuqia politike e Ismail Kadaresë përballë armiqve të tij

Shkruar nga Pamfleti

Fuqia politike e Ismail Kadaresë përballë armiqve të tij

E ashtuquajtura “fryma anti-Kadare” nuk është një ndjesi spontane e personave apo komuniteteve të caktuara, por është një logjikë e qartë e organizuar e disa grupeve të strukturuara...

Rreshtimi, edhe në një ditë si e djeshmja e sharësve permanent të Ismail Kadaresë, tregon fare qartë fuqinë e shkrimtarit të madh, fuqi e cila nuk varet fare nga qenia apo jo e tij në këtë botë.

Thyerja kaq brutale e traditës shqiptare për një “armëpushim funebër” nga thuajse adresimet e njohura që vijuan ta sulmojnë shkrimtarin e madh, nuk është aspak e rastësishme.

Kjo, pasi e ashtuquajtura “fryma anti-Kadare” nuk është një ndjesi spontane e personave apo komuniteteve të caktuara, por është një logjikë e qartë e organizuar e disa grupeve të strukturuara.

Të cilët shikojnë te Ismail Kadare, siç edhe tek Gjergj Kastrioti apo Nënë Tereza, modelet që inspirojnë shqiptarët kah Perëndimi dhe kultura evropiane.

Mjafton të shohësh sulmet edhe ditën e vdekjes, duke shkelur çdo kod, dhe i ndjen qartësisht fanatikët fetarë dhe ata politikë, që përfaqësojnë pikërisht ekstremet dhe rudimentet e vjetra.

Mediat pranë Erdoganit, apo edhe fondamentalistëve të tjerë muslimanë në Tiranë, por edhe në Prishtinë, kanë lëshuar pa fre bateritë ndaj Kadaresë, duke e akuzuar edhe të vdekur, ndërkohë që sa ishte në jetë, shkrimtarit të madh as që ia ‘kërciti fare’ për këta zëra.

Kadare ka qenë gjithnjë indiferent ndaj politikës, megjithëse ka pasur më shumë se njëherë kërkesa për të marrë pjesë në udhëheqjen e vendit.

Kur u rrëzua komunizmi, siç ka deklaruar Spartak Ngjela, ka pasur mjaft propozime sidomos nga ish-të dënuar politikë që Kadare të bëhej President i Shqipërisë, dhe Jusuf Vrioni- kryeministër. Një binom perfekt, i njohur në Perëndim si përfaqësuesit e dy klasave e shtresave të ndryshme, por që ishin kundërshtare të komunizmit. Projekt që nuk e deshën Ramiz Alia, Sali Berisha dhe i gjithë enturazhi tjetër i Katovicës, natyrisht. Por megjithatë, Ismail Kadareja, nuk kishte interes për të qenë një manekin i grupeve të fuqishme dhe nuk ju afrua asnjëherë.

Sali Berishën nuk e ka dashur kurrë, dhe asnjëherë nuk i është afruar për t’i shërbyer si një mbështetje. Madje në kulmin e pushtetit të Saliut, në vitin 2011, ai bëri letrën e hapur kundrejt Lulzim Bashës, ku i kërkoi që të tërhiqet pas prishjes së zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës në KQZ. Ajo letër e hapur dërrmoi totalisht mbështetjen e elektoratit qytetar dhe gri kundrejt Sali Berishës. Ndaj dhe fanatikët e doktorit e urrejnë për vdekje Ismail Kadarenë. I cili katër vjet më parë, pra në 2007, nuk lejoi që Edi Rama ta përdorte si kandidaturë për President të Republikës.

Ndërkaq, për të kuptuar fuqinë politike të Ismail Kadaresë, mjafton të tregohet rasti kur Madlene Allbright i kërkoi që të bindte UÇK-në të pranonte marrëveshjen e Rambujesë.

Mesazhi i Kadaresë për Hashim Thaçin dhe komandantët, pati një efekt të menjëhershëm dhe ndodhi ajo që dihet.

Përkatësisht Ismail Kadare është dhe do të mbetet një nga influencuesit më të rëndësishëm të ndërgjegjes kombëtare, të diturit, të shkolluarit dhe të orientuarit qartësisht në boshtin properëndimor.

E pikërisht për këtë fuqi që ka pasur dhe ka Kadareja kundrejt brezave të ilumonuar, ka tërhequr gjithë këtë armiqësi të hapur nga fanatikët, kryesisht ata që janë të lidhur me orientin.

Media që konsiderohet si një mbështetëse e neotomanizmit erdoganist, Mexhlis, dje në ditën e vdekjes së shkrimtarit të madh, publikoi një seri artikujsh kundër Kadaresë. Por jo kritika letrare apo politike, por sulme poshtë brezit, siç ishte rasti i Janulla Rrapit, ku ishin botuar edhe të pavërteta të ulëta.

E ky sulm, nga njerëz apo qarqe që predikojnë familjen dhe vlerat fetare, tregon se të gjitha i kanë thjesht për fasadë. Pasi përbrenda nuk presin të zbrazin mllefin pse shqiptarët as nuk e honepsin errësirën orientale. Madje po ulet përditë e më shumë numri i atyre që i beson përrallave me turgutë e bajazitë. E këtu, Kadare dhe vepra e tij kanë luajtur një rol të fuqishëm, ndaj e urrejnë.../Pamfleti

kadare fuqia politike armiqt e tij

Lini një Përgjigje