TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2024, 15:03

Edi, ra ky mort, e po ju shkruaj

Shkruar nga Engjëll Nova

  

Edi, ra ky mort, e po ju shkruaj
Kryeministri /

I nderuar Z. Rama!

Po ju drejtohem duke perifrazuar fjalët e Kadaresë e po ju shkruaj për vizitën tuaj të djeshme në spitalin "Nënë Tereza".

Ju dje shkuat në orën 09:55', d.m.th, pikërisht aty, ku fiks 1 orë e 5 minuta më parë kishte ndalur së rrahuri zemra e shkrimtarit tonë të madh.

Ju mbajtët aty një fjalim "të ashpër" për ca mjekë të demaskuar si të korruptuar te Onkologjiku, pasi më parë, përmendët për mirë shembullin e disa mjekëve që nuk jetojnë më.

Pastaj, për gjithçka rreth skandaleve në sektorin e shëndetësisë, fajësuat dhe fyet mediat si "pompa të kanaleve të ujërave të zeza"... Kur dolët që andej, për "të nderuar" Kadarenë..., shpallët 2 e 3 korrikun, ditë zie kombëtare...

Përveç demagogjisë dhe papërgjegjshmërisë, në fjalën tuaj të mbajtur aty ku dergjej trupi i pajetë i Kadaresë, ju z. Kryeministër, duke mohuar denoncimet e këmbanat e alarmit të kahershëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe mediave për situatën e rëndë te Onkologjiku dhe spitale të tjera shtetërore, premtuat "asistencë teknike nga Jashtë Shtetit për të audituar..." hajdutët e administratës së qeverisë tuaj!!!

S'ka njeri të mos e kuptojë se, ju z. Rama, duke (keq)përdorur vdekjen e Kadaresë, keni për qëllim të sfumoni jehonën e këtij mega-skandali dhe të anashkaloni ndëshkimin e menjëhershëm të ministres së Shëndetësisë me gjithë personat e administratës që janë përgjegjës drejtpërdrejtë për veprimet kriminale te Onkologjiku...

Z. Kryeministër!

Ndërsa kombi ynë përkulet me respekt përpara madhështisë së Kadaresë, nuk duhet të harroni se ky akt "nderimi" nga ana juaj vjen në një kohë kur ju dhe qeveria që drejtoni është duke u përballur me skandale të shumta që kërkojnë llogaridhënie.

Është e turpshme që dhimbja dhe respekti për Ismail Kadarenë të përdoren si mjete politike për të mbuluar (qoftë edhe përkohësisht) skandalet dhe përgjegjësitë e qeverisë tënde. Ky vërtet është një moment për të nderuar veprën e shkrimtarit tonë të madh, por jo një moment për të mos kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie për ata që kanë tradhtuar besimin e popullit shqiptar./Pamfleti

ra ky mort e po ju shkruaj

Lini një Përgjigje