TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Gusht 2023, 11:53

Frida Krifca rrezikon burgun, SPAK merr në pyetje drejtuesin e fondit “BESA”; një tjetër ish-ministër i Bujqësisë i përfshirë në aferë

Shkruar nga Pamfleti
Frida Krifca rrezikon burgun, SPAK merr në pyetje drejtuesin e fondit
Frida Krifca

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet për abuzimet me fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020, të cilat janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF). Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi pak javë më parë se si masë parandaluese, ka vendosur bllokimin e fondeve për zbatimin e programit IPARD II. Përgjegjësja kryesore që rrezikon burgun është Frida Krifca që në atë periudhë ka mbajtur postin e drejtoreshës së AZHBR, institucion që kishte në dorë fondet e BE të cilat shkuan në qoka për pushtetarët. Por Krifca nuk është e vetmja në rrethin e kuq. Hetimet e SPAK janë shtrirë deri në rrënjë.

Në skaner është futur fondi “BESA”  dhe Niko Peleshi i cili ka mbajtur postin e ministrit të Bujqësisë në atë kohë. Burime bëjnë me dije se drejtuesi i fondit “BESA Bajram Muçaj, është marrë nën pyetje nga SPAK. Po çfarë e lidh këtë fond dhe Peleshin me abuzimet e fondeve të BE? Në vitin 2018, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi nënshkroi në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “Marrëveshjen e Bashkëpunimit” për të lehtësuar kredimarrjen e gjithë aplikuesve, për fituesin nga programi IPARD II. Në atë kohë Peleshi, u shpreh se programi IPARD II, është sfida më e madhe që i parashtrohet bujqësisë shqiptare, dhe vështirësia qëndron në përthithjen e fondeve të këtij programi, gjë që kërkon kapacitete njerëzore dhe mjete financimi.

Abuzimet me fondet e BE

Pra në hetimet e SPAK janë hallkat kryesore që bënin lidhjet me shpërndarjen e fondeve të BE. Dyshohet se aty janë pranuar ryshfet në forma të ndryshme dhe të njëjtin e kanë ndarë me njëri-tjetrin me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin pasuri. Paratë e paligjshme ata i kanë përfituar duke aplikuar për subvencione, apo duke mundësuar aplikimin dhe në mënyrë të kundërligjshme. Fondi “BESA” që nga themelimi i saj është shoqëruar shpesh nga skandalet. Madje aty në vitin 2019 kanë plasur dhe arrestimet pas zhvatjes që bënë me 3.7 milionë euro. Kanë qenë drejtuesit e këtij fondacioni ato të cilët, pasi kanë marrë informacion mbi këtë skemë mashtrimi, kanë bërë kallëzim penal në prokurori. Ata kanë thënë se një pjesë e stafit të një filiali në kryeqytet kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit prokuroria nisi hetimet. Burime nga grupi hetimor bënë me dije në atë kohë se dokumentet e sekuestruara janë gjetur shumë shkelje. Në prangat e uniformave blu përfunduan drejtoresha e një prej degëve të filialit të Fondacionit si dhe disa oficerë kredie.

Lidhjet e fondacionit “BESA” me politikën

Gjithmonë kur bëhet fjalë për fondacionin “BESA” brenda gjen dhe politikën. Gjithashtu nëse hapim raportin Vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë për vitin 2007, Fondacioni Besa ka paraqitur kërkesën për tu licencuar si subjekt jobankë, por nuk e ka marrë atë, ndërkohë që sipas të dhënave nga vetë Fondacioni Besa,ai ka kryer aktivitet kreditimi gjatë gjithë vitit 2007. Sipas raportit të fondacionit, rezultatet e vitit 2007 për Fondin Besa, shënuan një konsolidim dhe zgjerim të aktivitetit duke shënuar rreth 9,200 klientë aktivë në 2007 dhe një tepricë kredie prej gati 37 milionë dollarësh. Por duke operuar pa licencë, ky fondacion ka shkelur ligjin Nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për Bankat”, duke operuar në kundërshtim me nenet 6,54, 90 dhe 126. Pra nuk përjashtohet që manovrat për abuzimet me fondet e BE rol kyç të ketë pasur dhe ky fondacion pasi kishte në dorë kredimarrjen e aplikuesve.

Mashtrimet Niko Peleshi

Vetëm të lexosh deklaratat e Niko Peleshit në atë kohë të vjen për të qeshur, në momentin kur e vendos në paralele me “bombën” që lëshoi Brukseli për të bllokuar fondet e BE. Në takimet e vitit 2018 ku ishin të pranishëm përfaqësues të organizatave anëtare të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, ministri Peleshi u shpreh se promovimi i programit “IPARD” është një proces, që kërkon në radhë të parë një punë të detajuar sqaruese, që duhet bërë mundësisht personalisht, me të gjithë ata që janë të interesuar, me qëllim kthimin e besimit për të gjithë aktorët pjesëmarrës për aplikimet dhe përfitimet nga këto skema. Më tej Peleshi është shprehur se një rëndësi e veçantë i është dhënë transparencës me të cilën do zhvillohet ky proces, i cili do të vazhdojë të jetë i tillë dhe gjatë vlerësimit dhe përzgjedhjes së fituesve. “Paratë janë, por na duhet t’i çojmë tek përfituesit. Rruga nga dëshira dhe deri tek përfitimi, kalon së pari, nga qartësimi i idesë, pastaj kthimi i kësaj ideje në projekt, pastaj plotësimi i projektit me gjithë të dhënat që kërkon programi i IPARD-it, aplikimi dhe padyshim, pastaj proçesi i vlerësimit. Është detyra jonë, që të jetë edhe më transparent edhe më i shpejtë, edhe më i mbrojtur nga fenomenet, të cilat nuk kanë munguar në të kaluarën. Unë besoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës”, është shprehur ai në atë kohë. Por vetëm transparencë që nuk ka patur, pasi me fondet është bërë një masakër, ku fermerët që përfituan numërohen vetëm me gishtat e dorës. Këtë herë politika nuk ia hedh dot paq të shpëtojë nga abuzimet pasi në lojë janë ndërkombëtarët. Aty ku hyn OLAF, askush nuk ia hedh pa u ndëshkuar./Shkodranews

Lini një Përgjigje