Kryeministri Edi Rama ka reaguar për gjendjen shëndetësore të liderit historik të PS, Fatos Nanos.
Rama thotë se po lutet për shëndetin e liderit historik të Partisë Socialiste ndërsa ka shpërndarë edhe medaljen ‘Mirënjohje Publike’ të dhënë në vitin 2019.
"Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme", shkruan ai.
Lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore prej ditësh.
Ish-kryeministri i vendit, 70 vjeç, është shtruar në një spital privat në kryeqytet.
Mësohet se ai ndodhet që prej datës 24 gusht nën kujdesin e mjekëve në reanimacion.
Nano ka vuajtur nga problemet në mushkëri dhe dyshohet se ky është shkaku. Mësohet se ish kryeministri u mor me ambulancë ditën e enjte në shtëpinë e tij, pasi kishte probleme me frymëmarrjen. Aktualisht ai ndodhet nën monitorim nga mjekët, pasi gjendja është e rëndë. Prej 4 ditësh ish-kryeministri është në intubim.
Fatos Nano e filloi karrierën e tij politike në vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatise vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Zgjedhjet në 31 Mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër.
Pas dy muajsh ai u detyrua të jep dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë. Në Mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata.
Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha dhe në zgjedhjet e 1998 ai bëhet sërish kryeministër. Nano rimori detyrën në vitin 2002 dhe në vitin 2005 doli nga skena politike.
Lini një Përgjigje