Nga Jala ku po pushon me të rinjtë e PL, Ilir Meta akuzoi SPAK se po vepron sipas orekseve të qeverisë. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme punon me regji...
Aksionet e kohëve të fundit të Prokurorisë së Posaçme kanë nisur të shqetësojnë edhe Ilir Metën. Deri më tani ishte Sali Berisha më i frikësuari, i cili sa herë SPAK kryen arrestime, del në deklarata shtypi dhe sulmon. Kështu ndodhi me rastin e Sterilizimit. Berisha ka dy javë që vetëm anatemon dhe sulmon prokurorët.
Por duket se sot i ka dalë në mbështetje edhe Ilir Meta. Ky i fundit ka qenë i rezervuar këto kohë në daljet e tij, teksa dhe kur sulmon drejtësinë ka tentuar të jetë i përgjithshëm. Por sot Meta ka sulmuar drejtpërdrejt SPAK, duke dhënë sinjale se edhe kreu i PL ka filluar të mos jetë rehat.
“Është e qartë që kemi të bëjmë me një drejtësi me regji, pasi është kryeministri aktual që jo vetëm ka kapur sistemin e drejtësisë, përmes ndryshimeve antikushtetuese që ka bërë gjatë zbatimit të reformës dhe krijimit të institucioneve të reja. Por është ai i cili vazhdimisht imponon kohën e organeve të reja të drejtësisë, rrezen e veprimit të tyre dhe njëkohësisht sikurse e keni vënë re. Kohët e fundit është ai i cili që vlerëson ato veprime apo aksione, në mendimin tim modeste, duke u dalë për zot aferave dhe koncesioneve, duke bërë të qartë se në themel të këtij korrupsioni qeveritar qëndron vullneti i kryeministrit aktual”, tha Meta nga Jala në një intervistë.
Më tej ai deklaroi se të gjitha aksionet e SPAK janë aksione që zhvillohen në periferi të skenës ku kanë ndodhur vjedhjet. Sipas tij, SPAK drejtohet nga kryeministri dhe vepron sipas orekseve të tij.
“Është e qartë se rrezen e veprimit të SPAK e kontrollon Edi Ram. Është e qartë se ai përzgjedh personat që do goditen, shkallën e goditjes dhe kohën e goditjes. Prandaj është një drejtësi me regji”, tha ai.
Por pse ka filluar të shqetësohet Meta? Në korridoret e politikës po flitet se SPAK këtë vjeshtë do të trokasë në derën e kreut të PL. Pak muaj më parë ai u mor në pyetje për skandalin me CEZ-DIA, ndërsa hetimet janë thelluar dhe për lobimet në SHBA dhe për ndërhyrjet estetike. Mos vallë Ilir Meta po na paralajmëron se SPAK ka nisur t’i afrohet? Deklaratat e tij sot thonë që po, por mbetet të shihet se çfarë do të bëjë SPAK. /Pamfleti
Lini një Përgjigje