TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Gusht 2023, 19:02

4 ditë para Asamblesë, Rama i “hap derën” SPAK-ut për ata që i hanë dardha pas shpine: Të mos shohë se kë po lëndon!

Shkruar nga Pamfleti
4 ditë para Asamblesë, Rama i “hap derën” SPAK-ut
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i ka hapur derën Prokurorisë së Posaçme të godasë të gjithë ata që i kanë “ngrënë dardha pas shpine”.

Të hënën Rama do të mbledhë Asamblenë e PS dhe priten ndryshime të shumta në qeveri. Pritet largimi i disa emrave që janë të rrezikuar nga drejtësia dhe si duket Rama sot i ka hedhur në “gojën” e SPAK.

Kryeministri ka dhënë një intervistë për televizionin grek ERT mbi rastin e Fredi Belerit, por u ndal dhe te drejtësia. Ai u shpreh se dosja po hetohet nga SPAK dhe u kujdes të tregonte se ai nuk ka dorë fare në këtë prokurori, duke qenë se akuzohet nga opozita se komandon arrestimet e Prokurorisë Speciale.

Rama mori si shembull shpalljen në kërkim të Ahmetajt dhe arrestimin e disa anëtarëve të PS, duke ja bërë të qartë SPAK se nuk duhet të shohë se kë po mërzit, por të shkojë te të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.

“Që në momentin kur SPAK futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë, bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret, të njerëzve shumë pranë pushtetit.

Sot ish-zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye: Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare”, tha Rama.

Kryeministri edhe më herët e ka thënë se ata që hanë "dardha pas shpine" duhet të përballen vetë me drejtësinë, ndërsa sot ka dhënë një tjetër sinjal se pas Ahmetajt, Kokës, Dakos apo Bllakos do të ketë të tjerë emra që do të kenë telashe me drejtësinë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje