
I ngarkuari me Punë i SHBA në vendin tonë, David Wisner, i ka shkuar në zyrë sot kryeministrit Edi Rama. Ai do të drejtojë ambasadën derisa të zyrtarizohet emërimi i David J. Kostelancik si ambasador.
Ambasada njofton se ata kanë folur për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të pohuar sërish lidhjen e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ata diskutuan partneritetin e ngushtë të vendeve tona në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Ukrainën, si dhe rëndësinë e mbështetjes së rinisë shqiptare. Wisner falënderoi gjithashtu kryeministrin për mikpritjen e jashtëzakonshme që Shqipëria ka treguar ndaj afganëve”, shkruan ambasada.
Emërimi i David J. Kostelancik është bllokuar në Senat. Republikanët kanë lënë pezull emërime në ambasada, ushtri dhe në shumë sektorë të tjerë. David J. Kostelancik doli para Senatit dhe shprehu qëndrimet e tij, por tani pritet të shihet se kur do të bëhet votimi në seancë.
Lini një Përgjigje